“Prokuroria duhet ta hetojë Avdullah Hotin”

0
34

Ish-drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj, pas shkarkimit nga Kryeministri Hoti, ka hedhur akuza në drejtim të tij për keqpërdorime financiare dhe nepotizëm në kohën sa ai ishte në krye të Ministrisë së Financave, kur me qeverinë udhëhiqte Isa Mustafa.

Murtezaj ka thënë se për një periudhë tre vjeçare, 7200 biznese kanë qarkulluar 3.5 miliardë euro para pa paguar asnjë tatim.

Për këto deklarime, ekspertët e ekonomisë në vend, kanë thënë që Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetime ndaj Hotit.

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, në një bisedë për Gazeta Blic, thotë që duhen marrë shumë seriozisht deklarimet e ish-drejtorit të ATK-së, dhe për akuzat e tij ndaj Avdullah Hotit, duhet të merret Prokuroria.

Beqiri thotë se në këtë rast shuma mininale e shmangies nga tatimi shkon deri në 1 milion euro.

“Administrata Tatimore e Kosovës ka kohë që shquhet për probleme të tilla, si nepotizëm, korrupsion favore të bizneseve etj, prandaj deklarata e ish drejtorit se Kryeministri në detyrë ka ndikim apo ka ndikuar në shmangie tatimi kjo është edhe vepër penale e dënuar edhe ligjet ne fuqi, andaj prokuroria do të duhet të zhvillonte hetime të menjëhershme dhe fleksibile për të zbardh realitetin ndonëse probleme të tilla ka pas edhe në të kaluarën por pa efekte të duhura përveç deklaratave bombastike”.

“Administrata Tatimore e Kosovës do të duhej të jetë shembull për transparencë e llogaridhënie, jo rrallë here përflitet për konkurse të kurdisura e fshehje të tatimeve për kompanitë me ndikim. Koha është që të zbardhet çdo pretendim i çdo personi e aq më shumë i një ish drejtori, prandaj duhet kushtuar prioritet të zbardhet çdo gjë. Nëse llogarisim vetëm shumen minimale te pagesës së tatimeve del se ka shmange tatimi për rreth 1 milionë euro dhe kjo është minimale e kur llogarisim në qarkullim milionësh të atyre kompanive del shmangja është tepër e madhe”, tha Beqiri për Gazeta Blic.

Lulzim Beqiri, ekspert i ekonomisë

Ndërsa eksperti tjetër i ekonomisë, Bedri Hasanaj shkarkimet në ATK, Doganë dhe Polici i lidh me arrestimin e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.

“Sikur të gjithë udhëheqësit e lartë të insitucioneve ne vend, edhe zt. Murtezaj ka ardh prej politikes ne krye të ATK-së dhe është shkarku nga politika. Akuzat ndaj Hotit janë akuza të renda, por fatkeqesishtë sikur ne c’do rast tjeter, zyrtarët e lartë flasin vetem pasi të shkarkohen nga detyra. Zotëri Murtezaj ka qënë ne krye të ATK-së dhe këto qeshtje është dashtë me i adresu dhe zgjidhe gjatë kohës sa ka qënë ne detyrë. Javën që lamë pas ndodhi arrestimi i kryetarit të Istogut dhe njeherish nënkrytarit të LDK-së zt. Haki Rugova, i menjehershem ishte reagimi politikes duke shkarkuar drejtorin e Policisë, drejtorin e ATK-së, Doganës dhe shfuqizimin e Task-Forces Anti korrupsion, e cila merrej me hetimin e krimit ekonomik të zyrtarëve politik ne vend. Kjo len me dyshu për nderlidhje të ketyre rasteve”, tha Hasanaj për Gazeta Blic.

Ai thekson se pas deklaratave të tilla Prokuroria do të duhej të fillonte menjëherë të merrej me rastin.

“Gjithsesi pas deklaratave të zt. Murtezaj tashme prokuroria ish dashtë me qene duke u marrë me këtë rast dhe me hap hetimet. zt.Murtezaj ish dashtë me u thirr dhe me u marrë ne pyetje për pretendimet e tij.Sipas zt. Murtezaj janë 7200 kompani që kanë qarkulluar mbi 3.5 miliard euro pa paguar asnjë cent tatim dhe taksa ne atken e shtetit. Pra flitet për mbi 500 milion euro shmangje tatimi dhe demtim i buxhetit të shtetit”.

Bedri Hasanaj, ekspert i ekonomisë

Javën që lam pas, kryeministri Hoti largoi nga detyra drejtorin e Policisë, të Doganave dhe atë të ATK-së.