16.2 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Marrëveshje Kosovë – Shqipëri apo mini – Shengen?

Kosova dhe Shqipëria nuk kanë nevojë të nënshkruajnë më marrëveshje bashkëpunimi mes njëra-tjetrës, tani kur në Uashington, Kosova është dakorduar të jetë pjesë e mini-Shengenit, thotë Emir Abrashi, hulumtues i politikave publike nga Demokraci Plus. Ndërkaq, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhueseve në Kosovë thotë që nuk ka nevojë për marrëveshje të reja, por të zbatohen ato që janë nënshkruara deri më tani.

Mini-Shengeni, sipas tyre, do të ketë një formë të re të bashkëpunimit nga aspekti bilateral, në atë rajonal.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 mbajnë mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe nënshkruhen marrëveshje në fusha të ndryshme.

Deri më tani janë mbajtur pesë takime të përbashkëta dhe janë nënshkruar mbi 70 marrëveshje, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim një qeverisje të përbashkët strategjike, në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve.

Një takim i tillë i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërinë pritet të mbahet më 2 tetor, ashtu siç ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Çdo vit marrëveshje që nuk u zbatuan në tërësi

Megjithatë, mbledhja e paralajmëruar mes dy qeverive po vlerësohet e panevojshme, nëse aty, siç kanë ndodhur në çdo mbledhje paraprake, nënshkruhen marrëveshje mes dy shteteve.

Emir Abrashi, hulumtues i politikave publike nga Demokraci Plus, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka nevojë më për marrëveshje Kosovë – Shqipëri, të cilat siç thotë ai, edhe ashtu nuk kanë pasur ndonjë efekt, pasi që nuk janë zbatuar.

“Marrëveshjet Kosovë – Shqipëri, janë bërë aq shumë tryeza dhe mbledhje të qeverive, por rezultatet nuk po vërehen. Kjo nënkupton se i ka humbur edhe efekti këtyre marrëveshjeve. I kemi vendosur barriera njëra-tjetrës edhe pse ka marrëveshje që të gjitha barrierat dhe burokracitë të hiqen, ka dështime prej të dyja palëve për të tërhequr investime të huaja direkte, po ashtu është evidente se ka mungesë të zbatimit të rendit dhe ligjit”, thotë Abrashi.

Serbia dhe Kosova me marrëveshjen për normalizimin ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, janë pajtuar t’i bashkohen zonës së mini-Shengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019.

Abrashi thotë se mini-Shengeni si i tillë nënkupton që barrierat duhet të hiqen jo vetëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, por me të gjitha shtetet që janë anëtare në këtë treg.

Shumë nga marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë pasur për qëllim të eliminojnë barrierat në mes dy shteteve. Por, në praktikë, përfaqësues të bizneseve prodhuese thonë se këto marrëveshje nuk zbatohen dhe bizneset janë ato të cilat në vazhdimësi janë ankuar për procedura burokratike.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se të dy qeveritë duhen të fokusohen në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe jo në marrëveshje të reja.

“Ne besojmë që takimet e rregullta janë me rëndësi mes dy qeverive, por sa kanë qenë produktive këto qeveri….me vite të tëra janë nënshkruar shumë marrëveshje, por nuk janë zbatuar në praktikë. Unë besoj që nuk duhet të flitet për marrëveshje të reja, por duhet të kërkohet llogaridhënie ku jemi në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese”, thotë Panxha.

Ai shton se janë skeptikë nëse mini-Shengeni do të mund të realizohet për shkak të problemeve mes Kosovës dhe Serbisë, por më rast të një mini–Shengeni, atëherë marrëveshjet do të duhej të jenë më të gjitha vendet që janë pjesë e kësaj nisme.

Panxha thotë që të gjitha vendet që janë zotuar për të zbatuar mini-Shengenin duhet të ulen dhe të negociojnë modalitetin dhe formën që do të marrë ky proces.

Kosova dhe Shqipëria të fuqizojnë bizneset

Ndërkohë, Emir Abrashi nga Demokraci Plus, thotë që në mbledhjet e ardhshme që pritet të mbahen mes Kosovës dhe Shqipërisë, të dy shtet duhet të mbështesin bizneset e veta në mënyrë që të rrisin konkurrencë në kuadër të tregut të mini –Shengenit , pasi siç thotë ai, ka një disproporcion mes ekonomisë së Serbisë me atë të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Unë mendoj që duhet të bëhet një strategji mbarëkombëtare të ngritjes së bizneseve mes të dyja vendeve. Ne kemi diskrepancë të madhe mes nivelit të importit të Kosovës dhe Shqipërisë. Mund të imagjinoni çfarë diskrepance mund të krijohet në një treg të hapur ku bëjnë pjesë Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Në këtë treg të hapur, produktet tonë mund t’i kemi joekzistente në treg nëse nuk ndryshon diçka”, thotë Abrashi.

I ashtuquajturi projekti mini-Shengen, është vlerësuar nga ekspertët e fushës se do të mundësojë lëvizshmërinë e bizneseve dhe profesionistëve dhe do të ndihmojë në eliminimin e barrierave tregtare brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nismë, synon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë në nivel të kënaqshëm.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019, tregojnë se vlera e produkteve, të cilat importohen nga Shqipëria në Kosovë, kap shifrën e mbi 200 milionë eurove në vit, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri, është rreth 70 milionë euro.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles