8.1 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Schütz: Është e paimagjinueshme kjo çka po ndodh mes Kosovës e Serbisë

Gjermania vazhdon të presë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të prodhojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të rregullojë të gjitha çështjet mes dy vendeve, të hapë perspektivën e tyre evropiane dhe të kontribuojë në stabilitetin e rajonit.

“Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme do të thotë marrëveshje që krijon detyrime ligjore për të dyja palët dhe nuk është e kufizuar në deklarata politike të qëllimit”, thotë ambasadorja Susanne Schütz, drejtoreshë për Evropën Juglindore, Turqinë, shtetet EFTA, OSBE-në dhe Këshillin e Evropës në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë.

Por teksa flet çka nënkupton marrëveshja ligjërisht e obligueshme, sipas Berlinit, ambasadorja Schütz sqaron: “Sa i përket njohjes reciproke, është e paimagjinueshme që dy shtete anëtare të Bashkimit Evropian të mos e njohin njëra-tjetrën”.

Në një intervistë me shkrim dhënë bashkërisht për KOHËN dhe “Kossev”, ambasadorja Schütz ka thënë edhe se në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së, ndërsa ka përshëndetur disa prej pikave të marrëveshjes së arritur në Washington.

Megjithatë, Schütz ka paralajmëruar se për Gjermaninë dhe BE-në “çdo gjë për të cilën palët merren vesh duhet të jetë plotësisht në përputhje me zotimet që Serbia dhe Kosova i kanë bërë përkitazi me harmonizimin e legjislacionit të tyre me atë të BE-së, me rregullat dhe ligjet tona, si dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin rajonal”.

Ajo në këtë kontekst përmendi hapjen e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem.

“Derisa ne e mirëpresim vendosjen e planifikuar të marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Kosovës, shprehim keqardhje për planet për hapjen apo zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem, gjë që do të shkonte kundër qëndrimit të BE-së në këtë çështje: Marrëveshja paqësore në konfliktin izraelito-palestinez kërkon një ujdi të negociuar për çështjet thelbësore për të cilat pajtohen të dyja palët, përfshirë këtu edhe statusin e Jerusalemit”, tha Schütz.

K.D.: Me gjithë pandeminë në muajt e kaluar, ka pasur disa zhvillime interesante në dialogun Kosovë-Serbi. Si do ta karakterizonit momentin në të cilin gjendet procesi tani? A shihni progres, apo është ende herët për të treguar?

Schütz: Në të vërtetë ka pasur progres të konsiderueshëm në dialog, me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia. Që nga emërimi si përfaqësues special i BE-së për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ishte në gjendje të rifillonte dialogun për të punuar në bisedime të strukturuara dhe në mënyrë thelbësore për çështje të rëndësishme deri tani të pazgjidhura. Pas 20 muajve të heshtjes, vetë ky hap është sukses. Të dyja palët tani duhet të vazhdojnë punën me përkushtim të plotë dhe duke marrë në konsideratë kompromiset e nevojshme. Ne kemi nevojë për një marrëveshje përfshirëse, të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila të dyja vendeve ua mundëson realizimin e perspektivës evropiane dhe kontribuon në stabilitetin e rajonit. Njerëzit si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, do të përfitonin në masë të madhe nga një marrëveshje e tillë, sepse raportet bilaterale të pazgjidhura po e pengojnë përparimin e të dyja vendeve.

K.D.: Para më pak se 10 ditësh pati një raund të diskutimeve Kosovë-Serbi në Washington, që u ndërmjetësuan nga Shtëpia e Bardhë, të cilat u përmbyllën me nënshkrimin e një të ashtuquajture Marrëveshje për normalizim ekonomik. Cili është këndvështrimi juaj rreth dokumenteve të nënshkruara? A i mbështetni marrëveshjet, apo keni rezerva ndaj asaj që është arritur?

Schütz: Në përgjithësi aktivitetet që i përafrojnë palët janë të mirëseardhura. Takimi në Washington ka nënvizuar se të dyja palët kanë shprehur vullnet për angazhim në përpjekjet diplomatike për të përmirësuar raportet e tyre. Siç po e shohim, dokumentet përmbajnë elemente nga marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe agjenda e tanishme e dialogut të BE-së, si dhe projektet infrastrukturore të financuara më herët nga BE-ja dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, qëndrimet që i largojnë Serbinë dhe Kosovën nga qëndrimet e BE-së, dhe me këtë edhe nga perspektiva e rrugës së tyre evropiane.

Përveç kësaj, për Gjermaninë dhe BE-në çdo gjë për të cilën palët merren vesh duhet të jetë plotësisht në përputhje me zotimet që Serbia dhe Kosova i kanë bërë përkitazi me harmonizimin e legjislacionit të tyre me atë të BE-së, me rregullat dhe ligjet tona, si dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Derisa ne e mirëpresim vendosjen e planifikuar të marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Kosovës, shprehim keqardhje për planet për hapjen apo zhvendosjen e ambasadave në Jerusalem, gjë që do të shkonte kundër qëndrimit të BE-së në këtë çështje: Marrëveshja paqësore në konfliktin izraelito-palestinez kërkon një ujdi të negociuar për çështjet thelbësore për të cilat pajtohen të dyja palët, përfshirë këtu edhe statusin e Jerusalemit.

Ne e mirëpresim që gjatë takimit të nivelit të lartë brenda dialogut konstruktiv me përfaqësuesin e lartë, Borrel, dhe përfaqësuesin special të BE-së, Lajçak, në Bruksel më 7 shtator menjëherë pas takimit në Washington, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq e bënë të qartë se i japin prioritet të lartë dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Është po ashtu tejet pozitive që brenda dialogut të BE-së është caktuar një takim tjetër i nivelit të lartë për në fund të muajit dhe që diskutimet në mes kryenegociatorëve në ndërkohë vazhdojnë.

Ju pyetët për aspektet ekonomike. Natyrisht ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë amerikanë për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë, Serbi dhe në tërë Ballkanin Perëndimor.

Në përgjithësi, një marrëveshje substanciale mes Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë në mes të BE-së si lehtësuese e dialogut dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, për ne sinergjitë e reja do të ishin të mirëpritura. Si hap i ardhshëm do të ishte e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor që të nisë një fazë e dytë në fushën ekonomike rajonale, në samitin brenda procesit të Berlinit, të bashkorganizuar nga Bullgaria dhe Maqedonia Veriore, që është planifikuar të mbahet këtë vjeshtë.

K.D.: A ka koordinim në mes të SHBA-së dhe BE-së në procesin e dialogut dhe a ka koordinim në mes të shteteve anëtare të BE-së?

Schütz: Gjatë pajtimit për mandatin e z. Lajçak, shtetet anëtare të BE-së e kanë formuluar dakordimin e tyre të përbashkët për procesin e dialogut dhe për qëllime që duhet arritur: Një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që i adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura në mes të palëve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe e cila kontribuon në stabilitetin rajonal.

Bashkë me z. Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, të gjitha shtetet anëtare të BE-së në mënyrë të rregullt i shkëmbejnë pikëpamjet e tyre rreth zhvillimeve të reja në dialog. Natyrisht edhe ne jemi në kontakt të shpeshtë me kolegët amerikanë. Prania e të dërguarit të posaçëm të SHB-së për Ballkanin Perëndimor, Matt Palmer, në Bruksel derisa po zhvillohen takimet brenda dialogut, gjithashtu tregon që ka bashkëpunim të ngushtë. SHBA-ja është një partner i rëndësishëm për BE-në në Kosovë dhe ne e ndajmë angazhimin tonë po ashtu brenda pranisë së vazhdueshme të KFOR-it.

Marrëveshja finale

K.D: Cili është qëndrimi i Gjermanisë karshi “marrëveshjes finale?” Ne e dimë që Berlini ka qenë i zëshëm kundër bisedimeve rreth territorit. Por çfarë mendoni se duhet të adresohet? Dhe kur flasim për “marrëveshje ligjërisht të detyrueshme” – a nënkupton kjo njohjen reciproke?

Schütz: Gjermania pret që dialogu të çojë në një marrëveshje përfshirëse, e cila i rregullon të gjitha çështjet e zgjidhura, e hap perspektiven evropiane të të dyja vendeve dhe e cila kontribuon në stabilitetin rajonal. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme do të thotë marrëveshje që krijon detyrime ligjore për të dyja palët dhe nuk është e kufizuar në deklarata politike të qëllimit. Për mua kjo do të thotë që të dyja palët mund të japin përgjegjësi për atë që pajtohen. Duhet të krijojë një nivel të ri të besimit. Sa i përket njohjes reciproke, është e paimagjinueshme që dy shtete anëtare të Bashkimit Evropian të mos e njohin njëra-tjetrën.

Marrë parasysh këtë qëllim, të dyja palët do të duhet të adresojnë gjithashtu çështje të vështira për të cilat deri tani ka fare pak bazë të përbashkët. Unë plotësisht i besoj z. Lajçak se do t’i udhëheqë diskutimet në këtë drejtim.

Një marrëveshje do të sillte stabilitet më të madh për rajonin. Siç është mirë e ditur, ne nuk besojmë që ndryshimet territoriale ose skenarët për shkëmbim territoresh do të kontribuonin në një zgjidhje të tillë të qëndrueshme.

K.D.: Ndërmjetësuesi i BE-së, z. Lajcak, ka paralajmëruar se marrëveshja Kosovë-Serbi është e mundur të arrihet brenda disa muajve. A e ndan Gjermania këtë optimizëm dhe mbi çfarë baze?

Schütz: Unë e ndaj ndjenjën e urgjencës për të sjellë një marrëveshje të qëndrueshme në mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë është e qartë se nuk mund të ketë një rregullim të shpejtë. Unë besoj se thelbi i një marrëveshjeje është më i rëndësishëm sesa korniza kohore. Unë jam e inkurajuar nga progresi që përfaqësuesi special Lajçak dhe të dyja palët e kanë arritur brenda muajit të kaluar. Tani do të varet nga palët që të punojnë me substancën për një marrëveshje përfshirëse e ligjërisht të detyrueshme.

Dhe siç e ka deklaruar edhe z. Lajçak shumë qartë pas raundit të fundit të bisedave në Bruksel, për t’u diskutuar kanë mbetur akoma çështjet më komplekse dhe të ndjeshme. Bisedimet nuk do të bëhen më të lehta dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme të bëjnë kompromise të dhimbshme. Mirëpo adresimi dhe rregullimi i të gjitha çështjeve të hapura është vendimtare për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

K.D: Cila është qasja ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel? A do të rishikohen ato, do të aktualizohen, ndryshohen në çfarëdo mënyre? A do të ketë insistim thjesht për t’i zbatuar ato që nuk janë zbatuar deri tani?

Schütz: Kjo është një pyetje që duhet bërë së pari palëve dhe z. Lajçak. Sipas mendimit tim zotimet e bëra nuk duhet kthyer prapa.

K.D.: Me një krizë politike që po zihet në Kosovë dhe një qeveri me një shumicë të brishtë dhe legjitimitet të kontestuar, a mendoni se ka gjasa reale Kosova ta përmbyllë me sukses procesin e Brukselit me lidershipin dhe koalicionin aktual institucional?

Schütz: Që të jetë në gjendje të arrijë që zëri i saj të dëgjohet në dialog, Kosova duhet arrijë qëndrime të përbashkëta brenda linjave partiake për shumë çështje të hapura me Serbinë. Kjo është një detyrë urgjente që është në interes të Kosovës si tërësi. Ne i mirëpresim të gjitha përpjekjet për të ankoruar ekipin negociator në një konsensus të gjerë politik. Kjo këshillë është e pavarur nga çdo jostabilitet, apo madhësi e shumicës qeveritare. Marrë në tërësi, unë besoj se ekziston një mundësi reale për sukses.

Për liberalizimin e vizave duhet bindur skeptikët në BE

K.D.: Nga ana tjetër e kemi çështjen e liberalizimit të vizave, të cilën shumë qytetarë të Kosovës po e shohin si dëshmi se BE nuk është e aftë për të mbajtur premtimet e saj. Cilat janë gjasat që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht, marrë parasysh që ka një rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës?

Schütz: Unë jam e vetëdijshme për frustrimin në Kosovë të shkaktuar nga fakti se liberalizimi i vizave është ende çështje e pambyllur. Ne e njohim këtë çështje shumë mirë. Është një interes urgjent për shumë familje, sikurse edhe për biznese. Ekziston një nevojë për të arritur progres në këtë çështje që është tejet relevante për marrëdhëniet BE-Kosovë, por edhe ekonominë e Kosovës. Mirëpo për të bindur skeptikët e mbetur brenda BE-së do të jetë me rëndësi që Kosova të bëjë pjesën e saj të punës. Do të na duhet një përkushtim i vazhdueshëm dhe i qartë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe për të forcuar sundimin e ligjit.

K.D.: Dhe së fundmi, ka zhvillime të tjera që kanë potencial për të shkaktuar telashe dhe situata në dhe rreth Kosovës – ekonomia e dobësuar pas pandemisë, Gjykata Speciale dhe ngritja e akuzave të mundshme, ndikimet e jashtme politike të Lindjes – të cilat mund të kenë efekt mbi dialogun. Cili është mesazhi i Gjermanisë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për akterët e jashtëm – cilët hapa duhet ndërmarrë, cilat rreziqe duhet llogaritur dhe cila rrugë përpara duhet marrë?

Schütz: Forcimi i ekonomisë gjatë dhe pas pandemisë është vendimtare për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor. Pakoja e ndihmës substanciale të BE-së për Ballkanin Perëndimor me një vlerë të përgjithshme prej 3.3 miliardë eurosh për të zbutur efektet e pandemisë është një sinjal i qartë i mbështetjes. Gjermania gjithashtu po i jep Kosovës ndihmë bilaterale. Gjithashtu javën e ardhshme ekspertë nga Instituti Robert Koch do të udhëtojnë për në Kosovë dhe në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë do të ofrojnë asistencë dhe rekomandime.

Dhomat e Specializuara e kanë mbështetjen tonë të plotë. Hetimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është pjesë e zotimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në një shoqëri pa pasur drejtësi. Gjermania beson fuqishëm se luftimi i padënueshmërisë përmes gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare kriminale është pjesë e një politike të jashtme të përgjegjshme dhe ligjore. Së bashku me BE-në, Kosova e ka bërë këtë hap të rëndësishëm drejt atij fundi me themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës brenda ligjeve kosovare. Është me rëndësi të theksohet se Dhomat e Specializuara i hetojnë vetëm krimet e individëve dhe nuk paragjykojnë një shtet të tërë, apo popullin e tij.

Çdo përpjekje për të penguar hetimet, procedurat, apo punën e Dhomave në përgjithësi do të ishte tejet e dëmshme për imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të kishte pasoja.

 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles