Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka njoftuar se si pikë e parë e rendit të ditën në seancën e së enjtes është paraparë raportimi i kryeministrit, Avdullah Hoti në lidhje me dislogun me Serbinë.
Me këtë seancë e cila është përcaktuar për ditën e enjte, Kuvendi i Kosovës fillon punën pas një muaji sa ishte në pushim.
“Çështja e parë ka të bëj me transportimin e kryeministrit për dialogut. Ne kemi vendosur si kryesi e Kuvendit që të enjten të ftojmë kryeministrin e Republikës së Kosovës për të raportuar për dialog, si pikë e parë e rendit të ditës”, tha Osmani.
Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar që kryeministri të raportonte në Kuvendin e Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike me Serbinë, e cila u arrit në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donalt Trump.
Marrëveshja është kundërshtuar nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat kanë akuzuar Hotin se nuk ka sjellë nga Uashingtoni njohjen e premtuar, përderisa me marrëveshjen e nënshkruar ka dëmtuar Kosovën.
Edhe vet Hoti kishte kërkuar që të raportonte në Kuvend pas takimit në SHBA.
Vetëvendosja e kritikoi marrëveshjen për normalizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se disa nga pikat e saj janë gabim dhe shkelin Kushtetutën.
Zyrtarë të kësaj partie u ndalën kryesisht në pikën 7 të marrëveshjes, ku Kosova dhe Serbia pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë, me qëllim të përdorimit të përbashkët të liqenit të Ujmanit, i cili është furnizues jetik i ujit dhe energjisë në Kosovë.