Serbia nuk është as në 10 vendet e para nga të cilat importon Kosova

0
60

Taksa 100 për qind, por edhe fushata kundër mallrave serbe kanë ndikuar që kosovarët të mos i kenë në plan këto produkte.

Importi i mallrave nga Serbia ka rënie të madhe. Madje ky shtet nuk hyn as në 10 vendet e para prej të cilave importon Kosova.

Sipas shifrave të Doganës së Kosovës, krahasuar me vitin 2018 kur Serbia ishte vendi numër një për import në Kosovë, këtë vit ajo renditet e 12-a, raporton KOHA.

Sipas Adriatik Stavilecit, Zëdhënës i Doganës, vendet në të cilat Kosova ka shënuar shifrat më të larta të importit janë Gjermania, Turqia, Kina, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Ndërsa mallrat më të importuara gjatë kësaj periudhe janë produktet e duhanit, automjetet, industria ushqimore, si dhe materiali ndërtimor, ndërkaq ato të eksportuara janë kryesisht metalet.

Nga 229 milionë euro sa ishin vitin e kaluar për periudhën janar-gusht, këtë vit janë mbledhur 265 milionë euro ose 36 milionë euro më shumë nga eksporti.

Për shkak të pandemisë Dogana ka 100 milionë euro më pak të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në vitin 2018 Kosova vendosi taksë 100 për qind për mallrat serbe dhe ato të Bosnjë-Hercegovinës.