16.2 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Zgjedhjet në SHBA, edhe stadiumi i Nju Jorkut do të bëhet qendër votimi

Gati 20 stadiume të basketbollit profesionist do të konvertohen në qendra votimi të sigurta nga coronavirusi për zgjedhjet presidenciale 2020.

Kjo u arrit me një marrëveshje me lojëtarët e kampionatit NBA, të cilët e ndalën shkurtimisht pjesëmarrjen e tyre në sezonin e finaleve, si formë proteste ndaj padrejtësisë racore dhe ushtrimit të tepruar të dhunës nga policia.

Stadiumi më i fundit që iu bashkua një iniciative të tillë ishte Qendra Barclays e Nju Jorkut, ku luan ekipi Brooklyn Nets.

Zyrtarët me Qendrën Barclays këtë javë inkurajuan banorët të vinin në stadium për të hedhur votat e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme, dhe në veçanti gjatë kësaj pandemie, t’u ofrohen banorëve të këtij qyteti sa më shumë qendra të sigurta dhe të hapura votimi që të jetë e mundur. Dhe kështu, ne jemi të lumtur të punojmë me zyrtarët e qeverisë për ta mundësuar këtë”, thotë John Abbamondi, drejtor i BSE Global, kompania që zotëron Qendrën Barclays.

Zyrtarët e qytetit, së bashku me zotin Abbamondi, bënë thirrje që më shumë pronarë dhe qytete të ofrojnë arenat e tyre me hapësirë të gjerë si vende ku njerëzit mund të votojnë në mënyrë të sigurt duke respektuar rekomandimet e distancimit fizik.

Në fund të majit, demonstruesit u mblodhën jashtë Qendrës Barclays për të protestuar ndaj vdekjes së George Floyd-it ndërsa mbahej nga policia në Minneapolis.

“Është thelbësore që të gjitha arenat tona në të gjithë vendin të bashkohen me Barclays, të bashkohen me Madison Square Garden dhe të bashkohen me vendet e tjera për të thënë, ‘Ne do të hapim dyert tona dhe do të sigurojmë se njerëzit do të lejohen të votojnë’. Kjo hapësirë po transformohet nga një vend ku u zhvilluan protesta paqësore në një vend ku do të vazhdojë votimi paqësor”, that Eric Adams, kreu i distriktit Brooklyn.

Nisma ishte pjesë e një marrëveshjeje të negociuar me lojtarët për t’i dhënë fund një bojkoti që mbylli finalet e kampionatit NBA javën e kaluar.

Bojkoti u përhap shpejt pasi ekipi Milwaukee Bucks refuzoi të dilte në fushë përballë ekipit Orlando Magic në përgjigje të të shtënave ndaj Jacob Blake në Kenosha, Wisconsin.

“Gjatë ditëve të fundit në shtetin tonë Wisconsin, ne kemi parë videon e tmerrshme të Jacob Blake që u qëllua në shpinë shtatë herë nga një oficer policie në Kenosha, si dhe të shtënat ndaj protestuesve. Pavarësisht lutjes masive për ndryshim, nuk ka patur asnjë veprim. Pra, fokusi ynë sot nuk mund të jetë tek basketbolli”, tha Sterling Brown, lojtar me ekipin “Milwaukee Bucks”.

Bojkoti i paprecedent sportiv në mbështetje të drejtësisë racore u përhap me shpejtësi, duke mbyllur pothuajse të gjitha sportet profesionale në Amerikë për disa ditë. Disa pronarë të skuadrave mbështetën lojtarët e tyre, por jo të gjithë ishin të kënaqur.

Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter se “Njerëzit janë lodhur duke shikuar një @NBA shumë politike. Niveli i vlerësimit për basketbollin është SHUMË poshtë dhe nuk do të rikthehet më …”.

Në përgjigje të mesazhit në Twitter të Presidentit Trump, Kyle Korver i Milwaukee Bucks tha se “Jeta nuk ka të bëjë me nivelet e vlerësimit. Jeta ka të bëjë me ngritjen e zërit për atë që është e drejtë”.

Kandidati demokrat për president Joe Biden shprehu mbështetje për lojtarët e ekipit Bucks duke thënë në një mesazh në Twitter se “ky moment kërkon udhëheqje morale dhe këta lojtarë u përgjigjën duke u ngritur, duke folur dhe duke përdorur platformën e tyre për mirë …”.

Sezoni rinisi pasi lojtarët, trajnerët dhe zyrtarët e ligës ranë dakord mbi veprime konkrete për të promovuar votimin dhe angazhimin qytetar dhe për të mbështetur legjislacionin për reformim të policisë dhe drejtësisë penale. /VOA/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles