Pavarësisht pandemisë COVID-19, ata vendosën të vijnë t’i kalojnë pushimet në vendlindjen e tyre, por dy prej tyre s’u kthyen më.
Një ngjarje tragjike ka ndodhur para disa ditësh, ku në një aksident trafiku humbën jetën, nënë e bir.
Bëhet fjalë për një familje kosovare nga komuna e Vitisë, të cilët kishin ardhur në Kosovë për pushime dhe derisa po ktheheshin në Zvicër, shtetin ku jetonin e punonin prej vitesh u përplasën me një makinë tjetër, ku edhe gjetën vdekjen dy persona.
Detaje ka dhënë për Indeksonline, Agron Abazi, Zëdhënës për Media në Komunën e Vitisë.
“Para disa ditësh një familje nga fshati Skifteraj, derisa po ktheheshin në Zvicër, në shtetin e Italisë janë aksidentuar, ku kanë vdekur dy persona, nënë e djalë. Ndërsa trupat e tyre të pajetë i kanë sjellë sot dhe i kanë varrosur në vendlindje”, ka thënë ai.
Abazi ka treguar se në makinë me dy viktimat ka qenë edhe një person, po që i njëjti fatmirësisht ka arritur të shpëtojë.
E institucionet komunale të Vitisë kanë ngushëlluar familjen Hajdari për humbjen e dy familjarëve të tyre.
“Bashkëndjejmë dhimbje për humbjen e jetës së dy më të dashurve tuaj, e nderuara familje Hajdari. Në emër të Institucioneve komunale, por edhe të qytetarëve të komunës së Vitisë, u shprehi ngushëllimet më të sinqerta, në këto momente të rënda që po kaloni. Ngushëllime”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Sokol Haliti.