Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se ndodhemi në situatën më të rënduar që nga fillimi i pandemisë me COVID-19.
Zemaj ka thënë se çdo përkeqësim i mëtejmë në sistemin shëndetësor e sjell atë në limite të paparashikuara me pasoja afatgjata.
Këto komente Zemaj i bëri përmes një postimi në Facebook, ku dha detaje tjera rreth Planit të Reagimit Kombëtar dhe takimit të Grupit Ndër-Institucional për Menaxhimin e Incidenteve.
Postimi i plotë:
Me kërkesë të Kryeministrit Hoti, i cili ditë më parë ka kërkuar që të aktivizohet në tërësi Plani i Reagimit Kombëtar, u mbajt takimi i Grupit Ndër-Institucional për Menaxhimin e Incidenteve (GNMI), i kryesuar nga Ministri i Punëve të Brendshme z.Agim Veliu.
Për menaxhimit të situatës aktuale u vendos që të bëhet lista e nevojave urgjente, që janë në kompetencë të këtij grupi dhe menjëherë të merren vendimet dhe masat e domosdoshme.
Si Ministri e Shëndetësisë, kërkuam më shumë mbështetje, për shkak se jemi në situatën më të rënduar që nga fillimi i pandemisë dhe çdo përkeqësim i mëtejmë në sistemin shëndetësor e sjell atë në limite të paparashikuara me pasoja afatgjata.