Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, është figura e radhës që ka zënë vend të rëndësishëm tek rubrika “Njerëz të paharrueshëm” të presidentit, Hashim Thaçi.
Thaçi në dy vjetorin e vdekjes së Demaçit, sjellë në kujtesë, emrin dhe figurën e Demaçit.
Presidenti shkruan se Demaçi ishte i burgosur politik që me ndërgjegje të lartë, qëndrueshmëri dhe konsistencë të përhershme nuk lëvizi asnjë moment nga ideali i tij jetësor.
“ADEM DEMAÇI është emri dhe mbiemri i ndërgjegjes kombëtare dhe politike të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Është emri i njeriut që sakrifikoi për së gjalli talentin e tij, rininë dhe burrërinë, duke ngritur zërin kundër pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, përkatësisht nga shteti i Serbisë”, thotë Thaçi.
Kreu i vendit thekson se me burgosjet e njëpasnjëshme, Adem Demaçi u shndërrua në simbol të vetëdijes sonë kombëtare, duke u bërë frymëzim për shumë gjenerata në rrugë drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Adem Demaçi ishte i burgosur politik që me ndërgjegje të lartë, qëndrueshmëri dhe konsistencë të përhershme nuk lëvizi asnjë moment nga ideali i tij jetësor. Emri i tij personifikon vlerat më të mira të shpirtit liridashës të kombit që i përkiste, por edhe ato të vlerave universale të kulturës, tolerancës dhe dashurisë ndaj njerëzimit”, shprehet Thaçi.
Thaçi shkruan se emri i Adem Demaçit është i përjetshëm, ashtu si ideali dhe ëndrra e lirisë.
“Jam krenar që pata fatin të punoj dhe koordinoj shumë veprime dhe qëndrime politike me Adem Demaçin si përfaqësues i lartë politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998 – 1999. Një komb mund të jetë i vogël numerikisht, por është i madh cilësisht kur nxjerr nga gjiri i tij një njeri të përmasave evropiane dhe botërore. Emri i Adem Demaçit është i përjetshëm, ashtu si ideali dhe ëndrra e lirisë, ashtu si Kosova e të gjitha gjeneratave që ishin, janë dhe do të vijnë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.