Prishtina epiqendra e koronavirusit, ja sa raste aktive janë në kryeqytet

0
45

Mbi 1,300 raste aktive me COVID-19 në Prishtinë, shumica e punëtorëve shëndetësor janë shëruar.

Në Komunën e Prishtinës, po vazhdon trendi i rritjes së rasteve me COVID-19, ku nga data 20 mars e deri sot, janë konfirmuar 2130 raste me coronavirus, ndërsa nga 20 punëtorët shëndetësor të cilin ishin të infektuar me COVID-19, tashmë vetëm edhe shtatë janë ende në pritje për tu konfirmuar se janë shëruar.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se në Prishtinë, sipas rezultateve të sotme që i kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, 20 persona të infektuar janë shëruar, ndërsa 77 janë konfirmuar si të infektuar.

Gashi tha se janë 1305 raste aktive me COVID-19, ndërkaq 804 pacientë tashmë janë shëruar.

Sa i përket numrit të pacientëve të cilët po trajtohen në Klinikat e QKUK-së, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës tha se ky numër vazhdimisht ndryshon, por që sillet rreth 30 deri në 35 pacientë, prej të cilëve ka edhe në gjendje kritike.

“Numri i pacientëve me COVID-19 që janë duke u trajtuar në spital sillet diku nga 30 deri në 35, pasi vazhdimisht, çdo ditë lirohen edhe hospitalizohen çdo ditë, është numër i ndryshueshëm që sillet rreth 30-35 çdo ditë. Kemi prej atyre që janë në gjendje të rëndë, por edhe prej atyre që janë në gjendje mesatare, që janë vetëm me oksigjenoterapi”, tha Gashi për Telegrafin.

Sa i përket punonjësve shëndetësor, Gashi tha se nga 22 që kanë qenë të infektuar, pothuajse të gjithë janë shëruar

“Prej punëtorëve shëndetësor ka pasur, në shërim janë thuajse shumica. Kanë mbetur shtatë punëtorë shëndetësor që presin me ju kthyer punës prej 22 të infektuarve që i kemi pas”, tha Gashi.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike nga komuna e Prishtinës janë 24 pacientë të infektuar me COVID-19 të cilët kanë përfunduar me fatalitet.

Nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur 158 persona të infektuar me COVID-19 – më së shumti në Prishtinë
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë si pasojë e coronavirusit kanë humbur jetën tetë persona, raste të reja janë konfirmuar 181 ndërkaq janë shëruar 136 pacientë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 420 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 181 raste pozitive.

Nga rastet e reja të konfirmuara me COVID-19, më së shumti janë në Prishtinë, gjithsej 77 raste.

Pastaj në komunën e Gjilanit 17 raste, në komunën e Pejës 13 raste, në komunën e Mitrovicës 10 raste, në komunën e Vushtrrisë 10 raste, në komunën e Vitisë 8 raste.

Në komunën e Drenasit 6 raste, në komunën e Fushë Kosovë 6 raste, në komunën e Lipjanit 6 raste,në komunën e Podujevës 6 raste, në komunën e Dragashit 4 raste.

Në komunën e Deçanit 3 raste kurse nga 2 raste komunat: Ferizaj, Malishevë Obiliq, Prizren, Skenderaj, Suharekë.

Më nga 1 rast komuna e Istogut, Kaçanikut dhe Kamenicës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njofton se aktualisht raste aktive janë 2 mijë e 804.