18 C
New York
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Hyseni: Nuk do të ketë marrëveshje të veçanta përderisa s’ka marrëveshje gjithëpërfshirëse

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, janë takuar të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, deklaroi se “duket se ka një dozë konstruktiviteti dhe vetëdije që duhet të ecet tutje”.

Ai, megjithatë, nuk dha detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por theksoi që ka “pajtim rreth elementëve të caktuar dhe se biseda ka qenë konstruktive”.

“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sipas tij, çdo e arritur në këtë proces që mund të zbatohet dhe ka zbatueshmëri, do të ndodhë.

“Mirëpo, ky është një moment i ri. Po flasim për një përmbyllje, prandaj ky proces është skajshmërisht politik”, theksoi Hyseni.

“Nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare”.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më herët gjatë ditës, ka konfirmuar se ka zhvilluar takime të ndara me dy negociatorët, Skender Hysenin nga Kosova dhe Marko Gjuriqin nga Serbia.

Lajçak është shprehur i kënaqur që është takuar me Hysenin dhe Gjuriqin dhe ka thënë se “kanë vazhduar diskutimet politike në nivel ekspertësh”. Duket se Lajçak i ka zgjedhur mirë fjalët, pasi pala kosovare thotë se këto bisedime nuk janë teknike, por janë politike.

Nga ora 14:00 është zhvilluar takimi i përbashkët i delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Ky është takimi i parë në nivel ekspertësh që prej se rifilloi dialogu më 16 korrik, kur u takua kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në atë takim, siç thanë edhe burimet nga BE-ja, palët ishin pajtuar për një varg temash, që do të jenë në agjendë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se në këtë takim do të hartohet drafti i marrëveshjes finale për çështjen e personave të pagjetur.

Kosova është përfaqësuar në dialogun e nivelit të ekspertëve me Skender Hyseni, i emëruar si koordinator për dialog nga ana e kryeministrit Hoti.

“Ai (Skender Hyseni) flet në emër timin në tavolinën e dialogut. Ai e ka këtë kompetencë, të më përfaqësojë mua si kryeministër në procesin e dialogut. Ai do të jetë në Bruksel, së bashku me (Ibrahim) Makollin, që merret me çështjen e të pagjeturve, për të bërë draftin e marrëveshjes finale për çështjen e të pagjeturve”, theksoi Hoti.

Delegacionin e Serbisë e ka udhëhequr, sikur edhe në të kaluarën, drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Nga burimet e palës kosovare është thënë se ky nuk do të jetë dialog teknik, por dialog për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Por, para nisjes për Bruksel, shefi i delegacionit të Serbisë, Marko Gjuriq ka mohuar se në takim do të diskutohet njohja e Kosovës. Ai ka thënë se pos temës së të zhdukurve, do të diskutohet edhe për zhvillimin ekonomik dhe për marrëveshjet e arritura më parë në dialog, e të cilat nuk janë zbatuar.

Bashkimi Evropian as kësaj radhe nuk dëshiron të japë sqarime se cilat tema saktësisht do të diskutohen në këtë takim. Vetëm përsërisin se “vet palët ishin pajtuar për temat” dhe se qëllimi final i dialogut është “arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, e cila do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura”.

Zëdhënësja për çështje të jashtme, Nabila Masrali, vetëm e ka konfirmuar se sot vazhdon dialogu në nivelin e ekspertëve dhe ka rikujtuar prononcimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak pas takimit të javës së shkuar ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë.

“Kosova dhe Serbia janë ftuar që të dërgojnë ekspertët e tyre dhe të vazhdojnë diskutimet për çështjet për të cilat tashmë është folur edhe në takimin në nivelin e liderëve të enjten e shkuar. Nëse këtë fazë nuk do të ndajmë më shumë informacione sa i përket takimit në nivel të ekspertëve”, ka thënë ajo.

Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik dialogu rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndryshe, drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, e sheh nisjen e procesit të bisedimeve si shansin më të mirë për të përfshirë temën e të pagjeturve në marrëveshjen finale Kosovë –Serbi.

Kjo, sipas Blakajt, do të intensifikonte punën në mes të institucioneve të të dyja vendeve për të gjurmuar dhe hetuar rastet që ende nuk janë zgjidhur.

“Është e qartë se është e pamundur që të zbardhet fati i personave të zhdukur para një marrëveshjeje finale. Pra, krejt çka mbetet është që kjo temë të diskutohet në dialog dhe në marrëveshjen finale palët të zotohen që do të angazhohen maksimalisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, thotë Blakaj.

Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Paralajmërimet për rinisjen e dialogut teknik nuk u mirëpritën në Prishtinë, ku përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, u kundërshtua edhe nga partnerët e koalicionit, Nisma Socialdemokrate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe nga Presidenca.

Kryeministri Hoti megjithatë është deklaruar se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik – por, që Kosova do të dialogojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles