Katër ditë intervistim – çka tha Thaçi para prokurorit në Hagë?

0
22

Pas katër ditësh, ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.

Gazetarët u interesuan nëse presidenti është pyetur për krimet e supozuara në të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ dhe për krime e pasluftës, porse Thaçi tha se nuk është pyetur për këto çështje nga prokurori.

“Sonte nuk e kam të drejtën të flas lidhur për asnjë informacion për dëshminë time tash e katër ditë, mirëpo lidhur me pyetjen tuaj që ju e parashtruat, deri më sot nuk jam pyetur për pretendime të tilla në asnjë rast. E ritheksoj edhe njëherë, pretendime të tilla nuk janë parashtruar në adresën time për këtë periudhë”, tha Thaçi.

Para gazetarëve, presidenti Thaçi theksoi se para prokurorit të Dhomave të Specializuara për katër ditë me radhë, ka pasur mundësinë që të japë sqarimet për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin e tij gjatë periudhës së luftës.

“Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës, këtë periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, unë konsideroj se kemi pasur seanca produktive”.

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit, që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë se nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara”, shtoi Thaçi.

Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë sepse ishte luftë për liri dhe pikërisht që ishte e drejtë, theksoi ai, Kosova kishte mbështetjen e botës demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

“Pikërisht, përpjekjet për të rishkruar, e theksoj historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por, e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare, është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenarë”, u shpreh ai.

Ndryshe, Thaçi e ka mbaruar intervistimin në të njëjtën kohë kur në Bruksel pas 20 muajsh është mbajtur dialogu Kosovë – Serbi.

Zyrtarët evropianë këtë herë ia kanë dërguar ftesën për vazhdimin e dialogut kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, kurse anën serbe e përfaqëson presidenti Aleksandar Vuçiq.

Thaçi është ftuar në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë ështc paraqitur aktakuza për shqyrtim. Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi është ftuar në këtë intervistë.

Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë Prokurorin e Specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose t’i kërkojë Prokurorit të Specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Si rezultat i këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i dyshuari bëhet i akuzuar dhe gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit të saj, dhe në rrethana të jashtëzakonshme, nëse prokurori ka një arsye të vlefshme përpara konfirmimit, gjyqtari mund, për shkaqe sigurie, për të parandaluar arratisjen e të akuzuarit, të nxjerrë në publik një urdhër për moszbulimin e përkohshëm të aktakuzës. Aktakuza do të publikohet jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e presidentit.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.