Shoqata e Neonatologeve në Kosovë ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë me COVID-19 te të porsalindurit.
Kjo u bë e ditur nga Burbuqe Skenderi, kryetare e kësaj shoqate, përmes një shkrimi në Facebook.
Ajo ka thënë se gjendja e përgjithshme e foshnjës është stabile.
“Shoqata e Neonatologeve të Kosovës raporton rastin e parë te të porsalindurit me COVID-19 , gjendja e përgjithshme e foshnjës momentalisht stabile. Beni kujdes, Covid nuk zgjedh moshë!”, ka shkruar Skenderi.
Ndërkaq, brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë shënuar edhe katër viktima nga coronavirusi i ri.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të mërkurën se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 86.
Sipas njoftimit, të mërkurën, nga 413 testime të kryera, janë regjistruar edhe 214 raste me coronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 4.100.
Ndërkaq, nga 1 korriku me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka filluar aplikimi i një cikli të ri të masave parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19 në vendin tonë!