Tragjedi në Gjakovë: E vret burrin e kushërirës, e plagos atë dhe djalin e saj

0
69

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bardhaniq të Gjakovës, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Atje po dyshohet se një shtetas i Shqipërisë ka sulmuar me thikë bashkëshortin e kushërinës së tij, i cili nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra. Po ashtu, të lënduar janë edhe gruaja e djali i viktimës.

Mëngjesi i së martës është shndërruar në tragjedi për një familje në Gjakovë.

Atje po dyshohet se një shtetas i Shqipërisë ka vrarë bashkëshortin e kushërirës së vet, e po ashtu e ka plagosur edhe kushërirën dhe djalin e saj.

Krejt kjo ngjarje ka ndodhur në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar Drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.

Graishta tha se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.

“Rreth orës 03:00 të datës 07.07.2020 Policia në Gjakovë është informuar për një rast vrasje në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitet relevante si njësitet patrulluese, hetuesia, forenzika, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i janë përgjigj vendit të ngjarjes. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës ndërsa dy personave tjerë iu është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore”, deklaroi Graishta.

Graishta tha se sipas informatava të para, i dyshuari I.V., shtetas i Shqipërisë, ka sulmuar me thikë mikun e tij, gruan dhe djalin e viktimës, e më pas është arratisur.

“Sipas informatave të para, i dyshuari V.I. mashkull, shtetas i Republikës së Shqipërisë ka sulmuar me thikë mikun e tij (viktimën), gruan dhe djalin e tij, pas të cilit akt i dyshuari është arratisur”, ka thënë Graishta.
Por, policia ka arritur ta gjejë të dyshuarin.

“Të dhënat e personit të dyshuar i janë përcjellë të gjitha njësiteve policore dhe rreth orës 07:00 i njëjti është arrestuar nga Stacioni Policor në Deçan. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Graishta.

Graishta bëri të ditur se djali i viktimës është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, pasi gjendja e tij shëndetësore është më e rëndë.

“I lënduari tjetër (djali i viktimës) për shkak të plagëve të rënda është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në bashkëpunim me prokurorin e shtetit vepra është cilësuar si ”Vrasje e Rëndë”, ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon ende, kurse hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë në mbikëqyrje të afërt të prokurorit të shtetit”, ka deklaruar Graishta.