Ka disa muaj që ligji Anti Covid nuk po arrinë që të shkojë për votim në seancë. Fillimisht, pengesa kryeparlamentares Vjosa Osmani i kishin dalë në kryesi derisa, ka gati një muaj që të njejtat nuk janë duke u shqyrtuar në Qeveri. Nga zyra e kryeministrit thonë se shumë shpejtë një gjë e tillë do të diskutohet në mbledhje të ekzekutivit ndërsa në Kuvend nuk e dinë arsyen se pse po zvarritet procesi. Gjatë ditës për Gazetën Express ka folur edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj dhe nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV’së, Arbërie Nagavci.
Qeveria në krye me Avdullah Hotin ka vendosur kufizime të reja për qytetarët, ani pse Gjykata Kushtetuese e kishte saktësuar në aktgjykim se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse në Kuvend krijohet një ligj i veçantë për pandeminë.
Kuvendi i Kosovës i ka dorëzuar në Qeveri ligjet e hartuara, por, që të njëjtat nuk janë shqyrtuar deri më tani.
Sipas ligjit, Qeverisë i mbeten edhe katër ditë kohë që të paraqesë mendimin e vet me shkrim pasi që pati gjithsej afat në periudhë një mujore nga dita e pranimit. Pas kalimit të këtij afati, Projektligji procedohet në Kuvend për shqyrtim.
Nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti shprehen të bindur se është punë ditësh kur në Qeveri do të shkojë për diskutim çështja e ligjit Anti Covid.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se kur kanë vendosur për masat e reja, nuk e kanë shkelur Kushtetutën pasi që janë bazuar në“Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.”
“Janë të interesuar që bashkë me ligjin për buxhetin edhe për marrëveshjet ndërkombëtare po shpresojnë që me fut edhe ligjin për Covid, do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, kanë deklaruar nga zyra e kryeministrit Hoti për Gazetën Express.
Në zyrën e kryeparlamentares Vjosa Osmani nuk e dinë se pse Qeveria nuk është duke e proceduar këtë nismë ligjore. Vetë Osmani, në seancën e fundit të Kuvendit, këtë e kishte lidhur me inate politike.
Këshilltari ligjor i kryeparlamentares, Artan Murati ka thënë sot për Gazetën Express se nisma legjislative që është inicuar nga Osmani si dhe është përkrahur nga disa deputetë, ka qenë e gatshme që nga muaji prill.
“Kjo nismë legjislative që është iniciuar nga ana e kryetares së Kuvendit, znj.Vjosa Osmani si dhe është përkrahur edhe nga deputetët nënshkrues ka qenë e gatshme qysh në muajin prill. Fillimisht në kryesi e kuvendit kanë qenë subjektet politike që nuk janë dakorduar që të procedohet tutje me kërkesën që të pritet krijimi i Qeverisë së re. Pas procedimit në Kuvend, përkundër faktit që situata është shumë urgjente ende nuk është bërë një opinion edhe pse një gjë e tillë do të duhej të ndodhte qysh më herët, duke pasur parasysh situatën aktuale”, ka thënë Murati.
Ai ka sqaruar se Osmani madje është tërhequr për t’iu dhënë hapsirë grupeve parlamentare që të jenë ata që e propopozojnë nismën legjislative, megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Ne nuk i dimë arsyet se pse Qeveria nuk po e kalon këtë nismë megjithatë, kryetarja e ka sjellë mundësinë që të tërheq nënshkrimin e saj, e që grupet parlamentare të jenë ata që propozojnë nga një person që e nënshkruan nismën, në mënyrë që të jetë nismë e përbashkët. Shpresojmë që nuk po bllokohet vetëm pse është nismë e znj.Osmani, duhet të pyetet qeveria se pse po zvarritet ky proces”, ka thënë ai.
Në rast se kalon afati ligjor prej një muaji që ka Qeveria të jep opinion për ligjet, atëherë në kryesi të Kuvendit ngarkohen komisionet përkatëse që të fillojnë trajtimin në procedura të rregulla, që pastaj të shkojë për votim në seancë.
Zvarritjen e votimit për ligjin Anti Covid e ka kritikuar edhe Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Reshitaj thotë se komisioni të cilën ajo e udhëheq në vazhdimësi ka qenë pro krijimit të një ligji të përkohshëm që mundëson implementimin e masave dhe mbrojtje të shëndetit publik nga Covid 19.
“Jemi vonë dhe s’kemi komoditetin të humbim më shume kohë. Me këtë ligj do kemi mundësi zbatimi të masave të nevojeshme si dhe mundesi implementimi te masave per rimekembje ekonomike”, ka thënë Reshitaj, duke shtuar se kjo tregon se një pjesë e spektrit politik po shpërfaq nivel të lartë të inateve politike.
“Zvarritja e miratimit të këtij ligji tregon vetëdije të ultë për seriozitetin e situatës me pandeminë në vend si dhe shpërfaqje të nivelit të lartë të inateve politke të një pjese të spektrit politik pikërisht në këtë kohë. Kjo është shqetësuese sidomos duke pas parasysh pasojat e ditëve të fundit. Duhet të ketë unitet brenda parlamentit. Nëse edhe për mbrojtjen e shëndetit publik nuk gjindet unitet institucional atëherë ne duhet të studiojmë një defekt të thellë në politikëbërjen tonë si shtet”, ka thënë ajo.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se kjo çështje po zvarritet për arsye politike. Në një përgjigje për Gazetën Express, nënkryetarja Arbërie Nagavci ka thënë se që nga 11 qershori projktligji ka mbetur i bllokuar në sirtarët e qeverisë.
“Me iniciativën e kryeparlamentares Vjosa Osmani, gjashtë deputetë kemi proceduar projektligjin. Përveç Lëvizjes Vetëvendosje të gjitha subjektet kanë qenë kundër, përfshirë këtu edhe LDK’në. Ka pasur që nga atëherë mungesë të vullnetit politik. Nga 11 qershori ndërkaq ka mbetur e bllokuar në sirtarët e qeverisë”, thotë Nagavci.
Ajo ka bërë të ditur se këtë temë e kanë diskutuar sot edhe në mbledhje të kryesisë.
“Në kryesi e kemi diskutu këtë temë, qevria ka afat deri të premten, ne do të shohim se si do ta procedojmë në seancën e të enjtes. Ka thjesht arsye politike pse është shmnagë”, ka bërë të ditur e njejta.
LVV sa ishte në pushtet ishte kritikuar nga partitë tjera për marrjen e vendimeve për kufizim të lëvizjes, që më vonë doli se nuk mund të merren pa ligj të veçantë. Derisa njejtë ka vepruar edhe LDK’ja, Nagavci thotë se vendimet e fundit të Qeverisë Hoti janë marrë pa plan.
“Vendimet e fundit të qeverisë për fat të keq janë vendime që janë marrë me shpejtësi e pa plan, në çdo vendim e kemi marrë të planifikuar dhe gjendja ka qenë më e mirë, tash po shihet se gjendja ka dalë nga kontrolli, po rritet numri i të infektuarve dhe të viktimave”, tha ajo.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci dhe deputetët Hajrulla Ceku, Saranda Bogujevci, Ardian Shala e Haxhi Avdyli kishin proceduar këtë nismë legjislative.
Vetë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk e kishte parë të nevojshme kalimin e një ligji të veçantë Anti Covid, duke thënë se Ligji për Sëmundjet ngjitëse i jep fuqi të plotë qeverisë dhe ministrisë së Shëndetësisë që t’i marrin masat e nevojshme për luftimin e pandemisë./GazetaExpress/