Hiqet kufizimi i lëvizjes, për qytetarët që hyjnë në Kosovë do të jenë rregulla të reja

0
12

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se nga sot do të hiqet kufizimi i lëvizjes që ishte nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndërsa për qytetarët që hyjnë në Kosovë do të jenë rregulla të reja.

Qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollet nga ekipet mjekësore në pikat kufitare.

Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit, dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19”, tha ai.

Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë do të lejojë liri të plotë të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Shqipërinë, që më 14 mars ishte mbyllur shkaku i rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Ministri Zemaj ka bërë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm sepse virusi është ende aktiv.

REKOMANDIMET

Kontrollin e detajuar për udhëtarët që hyjnë në Kosovë duke marrë shënime të sakta, adresën, numrin e telefonit, etj,

Kontroll i detajuar dhe marrje e temperaturës për të dyshuarit me COVID-19

Bazuar në rekomandime, prej ditës së hënë, qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor, por ata që hyjnë do të kontrollohen nga mjekët

Bazuar në situatën epidemiologjike, do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve

Nga dita e hënë hiqet masa/kufizimi i lëvizjes së lirë prej orës 21:00 deri në mëngjes

Ndryshe, deri tani në Kosovë me virusin COVID-19 janë infektuar 1 mijë e 158 persona, 876 prej të infektuarve janë shëruar, ndërkaq janë regjistruar edhe 31 vdekje, por që kishin edhe sëmundje tjera./Telegrafi/