Nënkryetari i Novobërdës jep detaje për rastin tragjik në minierën e Artanës

0
21

Nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se dy minatorët në minierën e Artanës kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së dheut në galerinë e pestë në minierë.

Ymeri tha se bashkë me kryetarin e Novobërdës, zjarrfikësit dhe ambulancën kanë arritur në vendin e ngjarjes.

Ai po ashtu shtoi se minatorët e tjerë kanë arritur të dalin dhe janë shëndosh e mirë.

“Pas orës 10:00, sipas informatave që morëm, menjëherë u nisëm bashkë me kryetarin e komunës. Ka ndodhur një tragjedi këtu në minierën e Artanës. Është shembur dheu në galerinë e pestë dhe dy minatorë kanë humbur jetën. Kana arritur, policia, zjarrfikësit dhe ambulanca”, ka thënë Ymeri.

Ai tha se janë duke i pritur ushtarët e FSK-së, për t’i nxjerr trupat nga miniera.

“Tash po i presim ushtarët e FSK-së që t’i nxjerrin trupat e dy minatorëve, si dhe prokurorin për zbardhjen e rastit”, ka thënë ndër të tjera nënkryetari i Novobërdës, Bajrush Ymeri.

Ndryshe, edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku ka konfirmuar për Telegrafin se një inxhinier dhe një minator kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së dheut.