Vikendi i parë me masa të zbutura në Evropë, qytetarët rreziten nëpër plazhe

0
22

Evropianët kanë shfrytëzuar vikendin e tyre të parë që kur janë zbutur masat kundër përhapjes së coronavirusit, të cilët kryesisht i kaluan ditët duke u rrezitur, derisa qeveritë e vendeve të tyre po mendojnë të gjejnë mënyra se si duhet të lejohen gradualisht dhe me siguri të plotë turistë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim që të shpëtohet ky sezon veror.

Pavarësisht se janë respektuar masat nëpër plazhe dhe parqe, virusi mbetet kërcënim i vazhdueshëm, ku Evropa deri më tani ka 170 mijë të vdekur nga coronavirusi, gjithmonë duke u bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins, transmeton Telegrafi.

Spanja është një nga vendet që është goditur më së shumti nga pandemia në Evropë, dhe njëherit një prej destinacioneve të preferuara nga turistët që vijnë nga e mbarë bota. Megjithatë qeveria e këtij vendi është e vendosur që të mos i hap kufijtë për turistë të huaj deri më 1 qershor.

E për ta forcuar ekonominë, kryeministri Pedro Sanchez ka inkurajuar bashkëqytetarët e tij që të fillojnë me planifikimin e pushimeve të tyre verore në fund të qershorit në vendlindjen e tyre.

Në Gjermani, turistëve brenda vendit nga nesër do t’ju lejohet të udhëtojnë nga pjesa perëndimore e vendit drejt asaj verilindore, ku brigjet e detit baltik dhe hotelet janë me bollëk.

Italia që planifikon të hap kufijtë rajonal dhe ata ndërkombëtar më 3 qershor, me qëllimin e vetëm – forcimin e turizmit, qysh tani ka filluar t’i lejoj qytetarët e saj të shkojnë nëpër plazhe në rajonet ku ata jetojnë – gjithmonë duke respektuar disa kufizime.

Parqet e qytetit të Parisit në Francë vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur, derisa banorët janë rrezitur përgjatë lumit. Në disa vende tjera ata qëndronin të ulur larg njëri-tjetrit duke respektuar distancën – por jo të gjithë vepruan kështu, adoleshentët janë parë në masë të madhe duke qëndruar bashkë. /Telegrafi/