Maqedonia e kishte shpallur pavarësinë nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ), më 8 shtator 1991. Pas shpalljes së pavarësisë, atë e kishin njohur shumica e shteteve të botës me emrin Maqedonia, siç ishte vetëshpallur – përfshirë këtu edhe katër nga pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, si ShBA-ja, Rusia, Kina dhe Britania e Madhe. Por, përkundër njohjes nga shumica e shteteve të botës, ky emërtim ishte problemi kyç në subjektivitetin ndërkombëtar të Maqedonisë në tri dekadat që pasuan, sepse Greqia e kontestonte për arsyet e veta historike dhe politike! Ndaj, në organizatat ndërkombëtare Maqedonia njihej si FYROM (ish-Republika jugosllave e Maqedonisë).
Ishte Marrëveshja e Prespës e qershorit 2018, që i dha fund mosmarrëveshjeve të Maqedonisë me Greqinë e që ia hapi rrugën – tanimë Maqedonisë së Veriut – drejt integrimit në NATO dhe anëtarësimit në BE (nga viti 2005 ishte vend kandidat). Pas afro tri dekadave, me plot vonesa, ngecje, probleme ekonomike dhe turbulenca të brendshme politike, Maqedonia e Veriut tani e ka të qartë rrugën dhe perspektivën euroatlantike. Kështu, ky shtet fqinj na bëri të kuptojmë se sado e vështirë që mund të jetë vendimmarrja politike, në momente të caktuara, interesi i përgjithshëm i qytetarëve është më i rëndësishëm se populizmi i liderëve politikë.
Sa për ta plotësuar krahasimin se vendimmarrja e duhur në kohën e duhur sjell edhe rezultatet e duhura, dhe se shfrytëzimi i momentumit është i rëndësishëm në perspektivën e një vendi, tregues është edhe rasti i dy ish-republikave tjera të RSFJ-së, të Sllovenisë dhe Kroacisë. Si një nga njësitë konstituive të ish-RSFJ-së, Sllovenia e kishte shpallur pavarësinë në të njëjtin vit me Maqedoninë (25 qershor 1991). Por, ky shtet, më 29 mars 2004 u bë anëtar i NATO-s e më 1 maj të po të njëjtit vit edhe anëtar i Bashkimit Evropian. Kroacia po ashtu bëri progresin e duhur. Ky shtet e kishte shpallur pavarësinë në të njëjtën ditë me Slloveninë, por ato nuk e kishin fatin e njëjtë. Lufta në Slloveni kishte zgjatur vetëm 10 ditë. Ndërsa, në Kroaci nga viti 1991 deri më 1995, duke e lënë pas dëme të mëdha materiale dhe humbje të mëdha në njerëz. Por, arriti shumë shpejt ta gjente rrugën e duhur. Më 1 prill 2009 Kroacia u bë anëtare e NATO-s, ndërsa më 1 korrik 2013 anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian (vend kandidat për anëtarësim ishte vetëm një vit para Maqedonisë).
Në këtë peizazh rajonal politik, Kosova ka mundësi të mësojë nga shembujt e sipërpërmendur dhe të zgjedhë se cilën rrugë dëshiron ta ndjekë: rrugën e Maqedonisë apo rrugën e Sllovenisë e të Kroacisë?
Është përgjegjësi e liderëve politikë që të vendosin për rrugën që do të ndjekim dhe për perspektiven e vendit e të popullit. Sidoqoftë, të gjithë jemi dëshmitarë që dialogu dhjetëvjeçar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka dhënë rezultate minimale. Mungesa e një mbikëqyrjeje serioze në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet palëve, ishte hallka më e dobët në tërë këtë proces. Por, tani ka ardhur koha që palët t’i kthehen dialogut, në dy nivele: strategjik dhe taktik. Në këtë aspekt është me rëndësi të shfrytëzohet momentumi i krijuar, përderisa ekziston fokusi i aleatit tonë kryesor: ShBA-së. Kjo për faktin se sa herë ka qenë ShBA-ja në tavolinën e bisedimeve, Kosova asnjëherë nuk ka pasë arsye për shqetësim. Rezultatet tashmë janë të njohura.
Delegacioni i Kosovës, në nivelin strategjik duhet të pasqyrojë unitetin e vendit dhe konsensusin e brendshëm për arritjen e një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse – ligjërisht të detyrueshme për palët. Ndërsa, niveli teknik do të kujdesej për implementimin e marrëveshjes e cila do të zbatohej në afate të përcaktuara qartë dhe të mbikëqyrura e garantuara ndërkombëtarisht. Po ashtu, kjo marrëveshje duhet ta ketë shumë të qartë edhe rezultatin – njohjen reciproke ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Por, cilat do të ishin disa nga proceset pasuese, nëse arrihet një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë?
Njohja e shtetit të Kosovës do të ishte akti që do ta bënte ndryshimin historik të qasjes së Serbisë, duke shkuar kështu drejt fundit të armiqësive mes dy popujve. Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia mund të jetë edhe reaktor i shumë proceseve tjera. Hap i radhës do të ishte njohja e menjëhershme prej pesë vendeve anëtare të BE-së (që janë pengesë serioze për Kosovën, në rrugën pa alternativë të integrimit euroatlantik). I menjëhershëm do të ishte edhe qartësimi i perspektivës evropiane dhe përshpejtimi i këtij procesi në afate kohore, të barabarta me vendet e rajonit (me një mirëkuptim të shtuar nga ana e BE-së, për Kosovën).
Që suksesi të jetë i garantuar, pjesë detyruese e kësaj marrëveshjeje do të duhej të ishte anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare që janë në varësi apo “satelite” të saj. Kjo nënkupton edhe shfuqizimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe mos pengimin e këtij ndryshimi nga vendet me të drejtë vetoje në Këshill. Duke mos i pasë pengesat që ka sot, Kosova do të anëtarësohej edhe në organizatat tjera ndërkombëtare të sigurisë, si në Interpol, OSBE, Europol… pa i përjashtuar ato të inteligjencës. Nuk duhet anashkaluar përfitimet e Kosovës në rrafshin e brendshëm, si ekonomik, social dhe në atë të sigurisë, për faktin se nuk do ta kemi më Serbinë si kërcënim kryesor, ndaj institucionet e sigurisë do t’i riorientonin prioritetet strategjike dhe operacionale për luftimin e dukurive negative. Në këtë mënyrë, Kosova do të ishte në gjendje që buxhetin e orientuar për lobim dhe diplomaci ndërkombëtare, ta riorientonte në investimet e brendshme – për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte proces administrativ e teknik dhe assesi më politik. Nuk do të kishte më kundërshtarë të këtij procesi, por vetëm plotësim të standardeve. Përfitimet e Forcës së Sigurisë do të ishin enorme dhe procesi i transformimit do të ishte thjesht pjekje dhe maturitet institucional. Nga një konsumuese e sigurisë përgjatë dy dekadave të fundit, Kosova do të shndërrohej në eksportuese të saj.
Dhe… si rrjedhojë e këtij rrugëtimi, në një periudhë kohore afatmesme Kosova do të ishte shtet i formësuar në tërësi, me subjektivitet të plotë ndërkombëtar, me flamur shtetëror që do të valonte në çdo cep të botës dhe në çdo organizatë ndërkombëtare!