Kurti: Duam dialog me parime, takimi i ardhshëm varet nga Brukseli

0
11

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kalendari i dialogut të ardhshëm mes Kosovës e Serbisë varet nga Brukseli.

Ai deklaroi se do të jetë kryeministri ai që do të përfaqësojë Kosovën në dialog, pasi ka edhe një vendim të gjykatës që thotë se kryeministri përfaqëson vendin ne dialog.

Kurti tha se është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe theksoi se do të mbrojnë interesat e vendit në dialogun me Serbinë.

Kryeministri në detyrë, tha se Lajçak është duke u përgatitur për fillimin e dialogut dhe përfaqësimi i Kosovës në dialog do të jetë në bazë të Kushtetutës.

“Unë jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, zotëri Miroslav Lajçak, ai natyrisht që është duke u përgatitur fillimin e dialogut. Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur, i organizuar mirë. Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta, ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës. Pra, varet prej Brukselit kalendari i dialogut të ardhshëm dhe në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, deklaroi Kurti.