Polonia miraton Strategjinë e re Kombëtare të Sigurisë: Politika ruse listohet si kërcënuesi kryesor i sigurisë

0
22

Presidenti polak Andrzej Duda ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, në të cilën, politika ruse listohet si kërcënuesi kryesor i sigurisë. Ceremonia e nënshkrimit të strategjisë u zhvillua në pallatin presidencial dhe u transmetua nga televizionet polake.

Kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare polake, Pavel Soloh, i cili luajti rolin kryesor në formimin e kësaj strategjie, ndër të tjera tha se, “kjo qasje u miratua si rezultat i një analize të hollësishme të veprimeve të Rusisë”.

Në tekstin e dokumentit kryesor polak të fushës së mbrojtjes, thuhet se kërcënimi më serioz për Poloninë është politika neo-perandorake e autoriteteve ruse, e pasuar edhe me forca ushtarake. Agresioni kundër Gjeorgjisë, aneksimi i paligjshëm i Krimesë dhe aktivitetet në Ukrainën lindore, kanë shkelur parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe kanë minuar shtyllat e sistemit evropian të sigurisë, përcjell Telegrafi.

Në këtë dokument, tutje thuhet Rusia po zhvillon me intenzivitet aftësitë e saj ushtarake sulmuese dhe duke realizuar ushtrime ushtarake në shkallë të gjerë, bazuar në skenarët që supozojnë një konflikt të mundshëm me ndonjë nga vendet anëtare të NATO-së, e madje edhe përdorimin e armëve bërthamore.

Vëmendje në këtë dokument i është kushtuar edhe sulmeve kiberneike dhe dezinformimit rus, duke potencuar se Rusia kryen veprime nën pragun e luftës (të natyrës hibride), e cila paraqet rrezikun e shpërthimit të një konflikti dhe ndërmerr veprime shumëpalëshe dhe gjithëpërfshirëse duke përdorur mjete jo-ushtarake (sulme kibernetike, dezinformimin) për të destabilizuar strukturat e shteteve dhe shoqërive perëndimore, si dhe për të krijuar përçarje midis aleatëve.

Sipas strategjisë, përgjigja kryesore ndaj këtij kërcënimi duhet të jetë forcimi i lidhjeve me NATO-në, vendosja e aleatëve në territorin polak dhe sjellja e nivelit të shpenzimeve të mbrojtjes deri në 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. /Telegrafi/