Shoqata e Shpendarive të Kosovës kishte alarmuar për rrezikun e konsumimit të vezëve që importohen nga Maqedonia e Veriut, pasi sipas tyre, ky shtet pas shfaqjes së murtajës te shpezët, ka eksportuar vezë më sëmundje në vendin tonë.
Andaj kjo shoqatë ka apeluar te të gjithë konsumatorët që të kenë kujdes gjatë blerjes së vezëve, ndërsa ka alarmuar se në këtë formë përveç shëndetit po rrezikohet edhe tregu i prodhuesve vendës.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi për Telegrafin ka thënë se, është ndaluar përkohësisht importi i shpezëve dhe vezëve që vijnë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.
“Pas lajmërimit të publikuar në faqen zyrtare të autoritetit Maqedonisë se Veriut të Ushqimit dhe veterinarisë ka të bëjë me detektimin e sëmundjes New Castle Disase. (Murtaja tipike e shpezëve) tek dy ferma brojlerë (ferma të pulave për therje mish) dhe sipas raportit të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare për Sëmundjet e Kafshëve – OIE, është raportuar se ne Republikën e Maqedonisë Veriore kemi pasur dy shpërthime ne dy lokacione te ndryshme të sëmundjes Mortaja Atipike e Pulave. Sipas Ligjit të Veterinarisë AUV është e obliguar që të bëjë ndalesën e importit nga shtet e infektuara me sëmundje të kafshëve ose shpezëve, sipas programit te pare te sëmundjeve infektive te dala nga ky Ligj. AUV sot datë 13.05.2020, ka nxjerrë vendim për masën e ndalesës se përkohshme, për shpezë dhe produkte-nën produkte të shpezëve për Republikën e Maqedonisë se Veriut”, tha Thaçi.
Ai tregon se importuesi i vezëve nga ky shtet deri më tani ka pas leje importi dhe ka poseduar dokumentacionin me të cilin garantohet siguria e vezëve.
“Për ngarkesën me vezë të importuar nga Maqedonia e Veriut janë zbatuar të gjitha procedurat e kontrollit sikurse vlejnë për të gjitha shtetet tjera. Importuesi ka marrë leje importi, ngarkesa ka poseduar gjithë dokumentacionin e nevojshëm sipas ligjeve në fuqi me të cilin garantohet siguria e vezëve. Ku përfshihet Certifikata veterinare shëndetësore e lëshuar nga autoriteti kompetent me të cilin garantohet se vezët janë të lira nga sëmundjet dhe parametrat tjerë laboratorik të përcaktuar në certifikatë. Ferma prej të cilës janë importuar vezët është ne listën e Bashkimit Evropian me të drejt eksporti në të gjitha shtet brenda bashkësisë. Deri me tani kjo fermë nuk ka ndonjë ndalesë dhe asnjë lajmërim për ndonjë masë shtesë të kontrollit. Për ngritje të masave te kontrollit merren parasysh njoftimet nga autoriteti kompetente ndërkombëtar si RASFF sistemi, për të cilën fermë nuk ka pasur”, tregon ai.
Thaçi pohon se testet laboratorike të mostrës kanë rezultuar se vezët i plotësojnë kushtet për konsum sipas rregullave në fuqi dhe se pas kontrollit të plotë, inspektori ka lejuar qe vezët të dalin në treg për konsum.
“Inspektori me rastin e kontrollit të ngarkesës ka zbatuar të gjitha procedurat standarde për kontroll të rregullt. Fillimisht kontroll në përputhshmërinë dokumentacionit me deklinacionin e produktit nga kontrolli fizik dhe është marrë mostra për analiza ne disa parametra ku përfshihet edhe freskia e vazeve bazuar në rregullat në fuqi. Testet laboratorike të mostrës kanë rezultuar se vezët i plotësojnë kushtet për konsum sipas rregullave në fuqi. Pas gjithë kontrollit të plotë inspektori ka lejuar qe vezët të dalin në treg për konsume sepse i plotësojnë kushtet e sigurisë dhe ngarkesa është në pajtueshmëri me rregullat ligjore në fuqi”, tha Thaçi. /Telegrafi/