Gjykata e Apelit vendos në rastin e Kqirajve dhe të tjerëve, ashpërson dënimet

0
18

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit ka vendosur në rastin e të akuzuarve Kqiraj, duke ashpërsuar dënimet lidhur me veprat penale “detyrim” dhe “fajde”.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 24.05.2019, është ndryshuar ashtu që të akuzuarit janë shpallur fajtor nga ana e kësaj gjykata për veprat  penale “Detyrim”  dhe “Fajde” dhe janë dënuar: T.K. dhe K. K  më nga 5 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë; Gj.K. me 3 vjet e 6 muaj burgim  dhe 10 mijë euro gjobë; M.K më 3 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë; B.B më 5 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë; Gjk. K. më 3 vjet burgim  dhe 5 mijë euro gjobë dhe G.K më 3 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Po ashtu aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është ndryshuar edhe për veprat për të cilat ata janë shpallur fajtor, vetëm sa i përket vendimit mbi dënim.

Të akuzuarit B.O.  i është shqiptuar dënimi më burgim në kohëzgjatje prej 5 vjetësh, për shkak të veprës penale “Detyrim”.

Të akuzuarit T.K. dhe Gj.K  janë dënuar secili më nga 2 vjet e 8 muaj burgim për shkak të veprës penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Gjithashtu tre të lartcekurit, së bashku me të akuzuarit M.K. dhe K.K.,  janë dënuar më nga 5 mijë euro gjobë, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve”.

Konfom dispozitave  ligjore, të akuzuarve u është shqiptuar dënim unik më sa vijon:

T.K – 7  vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë; K.K. – 5 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë;  Gj.K. – 5 vjet e 6 muaj burgim dhe 15 mijë euro gjobë; M.K – 3 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë; si dhe B.B. – 5 vjet burgim dhe 25 mijë euro gjobë.

Lidhur më veprën penale “Shpëlarje e parave” çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Të akuzuarve T.K., K.K.,Gj.K, B.B. dhe B.O, u është caktuar masa e paraburgimit, e cila masë do t’iu llogaritet nga data e arrestimit, por jo me gjatë se dënimi i shqiptuar.