LDK dorëzon në Kushtetuese komentet lidhur me pezullimin e dekretit të Thaçit

0
15

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese komentet sa i përket masës së përkohshme që ka marrë kjo gjykatë lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Këtë e bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Së bashku me kolegët e mij Driton Selmanaj dhe Shkëmb Manaj, dorëzuam komentet në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së , po ashtu edhe disa kolegë tonë deputetë kanë dorëzuar komentet individuale lidhur me masën e parakohshme që ka marrë Gjykata për dekretin e presidentit”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se beson që Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj final do t’i jep mundësi zhvillimit të demokracisë në vend.

“Besojmë që do të kemi një gjykim të drejtë, dhe besojmë që gjykata do ti jep mundësi zhvillimit të demokracisë në Kosovë”, tha Gashi.

Gashi shtoi se pas marrëveshjeve për koalicion me partitë, tani janë në fazën finale të përfundimit të planit qeverisës dhe pakos ekonomike.

“Jemi në fazën finale të përfundimit të planit qeverisës, dhe pakos ekonomike që pritet të aprovohet në ditët e para të qeverisë së re, këto dy çështje kryesore pritet të përmbyllen këto ditë”, u shpreh ai. /Telegrafi/