Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se janë konfirmuar edhe shtatë raste të reja me COVID-19 në vendin tonë, duke çuar në 813 numrin e personave të infektuar.
Po ashtu janë shëruar edhe 27 pacientë me coronavirus, duke e rritur numrin e të shëruarve në 298.
“Sot më 01 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 221 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.
Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej shtatë (7) raste.
Rastet pozitive janë raste kontakti dhe sipas vendbanimit: gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit dhe një (1) rast nga komuna e Suharekës.
Sot më 01 maj 2020, janë shëruar edhe njëzet e shtatë (27) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e nëntëdhjetë e tetë (298) raste.
Nga data 08 shkurt deri më 01 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 7.644 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej tetëqind e trembëdhjetë (813) raste, me gjithsej njëzet e dy (22) raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftim.