Nga 32 raste pozitive me coronavirus, 23 prej tyre janë nga Komuna e Pejës

0
47

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme kanë rezultuar pozitivë me coronavirus 32 persona, ku 23 prej tyre janë nga Komuna e Pejës.

Shtimi i numrit të sotshëm ka bërë që numri i të prekurve në total të shkojë në 763.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e tre (23) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: katërmbëdhjetë (14) raste Pejë, pesë (5) raste Nakëll dhe katër (4) raste Bllagajë), katër (4) raste me vendbanim në Runjevë-Kaçanik, dy (2) raste me vendbanim në Strellc i epërm-Deçan”, thuhet në njoftim e IKSHPK-s.

Të shtunën Komuna e Pejës është shpallur zonë karantine dhe se personat që kanë rezultuar pozitiv nga ky qytet janë raste kontakti.

Ndërkaq, Qendra Operative Emergjente e Pejës, nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, ka shqyrtuar sot gjendjen e krijuar pas shpalljes së Komunës së Pejës zonë karantinë, si masë mbrojtëse nga përhapja e pandemisë COVID-19

Policia e Kosovës ka vendosur pika statike në të gjitha arteriet kryesore të hyrje daljeve të Komunës së Pejës dhe nuk lejon asnjë kalim.

Rrugët dytësore do të kontrollohen me ekipe të lëvizshme.

Inspektorati do të zhvillojë aksione të shtuara për të kontrolluar dyqanet që nuk po i respektojnë masat mbrojtëse.

Nuk do të ketë kompromis për asnjë biznes që nuk i respekton rregullat.

Lëvizja e qytetareve lejohet vetëm sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë duke u bazuar në numrin e parafundit personal.

Policia do të jetë rigoroze për ata që nuk e respektojnë këtë rregull./Telegrafi/