Pas Kurtit, deputetët e LVV-së dhurojnë gjysmën e pagës për menaxhimin e pandemisë COVID-19

0
22

Pas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ditën e enjte ka dhuruar gjysmën e pagës së tij për menaxhimin e pandemisë së COVID-19, këtë nismë e kanë mbështetur edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi dhe disa nga deputetët e LVV-së, Fitore Pacolli, Eman Rrahmani,Valon Ramadani e Fitim Haziri.

Zv.kryeministri në detyrë, Haki Abazi ka thënë se i bashkangjitet kryeministrit dhe deputetëve të LVV-së e mërgatës duke dhuruar 50% të pagës, transmeton Telegrafi.

“Në përkrahje të institucioneve në betejën kundër Corona Virusit, duke dhuruar 50% të pagës, i bashkangjitem Kryeministrit dhe deputetëve të LVV, mërgatës dhe të gjithë atyre që kanë dhuruar dhe po vazhdojnë te dhurojnë. Me solidaritet e me dashuri të qëndrojmë bashkë kundrejt sfidës prej së cilës do të dalim edhe më të fortë.
Nderim e respekt për personelin shëndetësore dhe punonjësit e sektorëve qe pa reshtur janë në shërbim të qytetarëve. Përjetësisht u jemi mirënjohës”, ka njoftuar Haki Abazi.

Deputetja Fitore Pacolli, në shkrim e bërë në Facebook ka thënë se në këtë situatë emergjente shëndetësore shteti ka nevojë për ndihmën e secilit nga ne.

“Edhe unë i bashkohem nismës së Kryeministrit dhe kolegëve të mi deputetë duke ndarë gjysmën e pagës sime.
Në këtë situatë emergjente shëndetësore shteti ka nevojë për ndihmën e secilit nga ne. Ne mund të ndihmojmë duke qëndruar në shtëpi e duke respektuar rregullat, e për ne që kemi sado pak mundësi edhe duke ndarë një shumë modeste për fondin e Qeverisë së Kosovës. Asnjëherë më shumë si shoqëri se në këto ditë të vështira nuk e kemi ndier nevojën për një sistem të zhvilluar publik shëndetësor.  Ta mbajmë në këmbë sistemin tonë publik shëndetësor. Pa të nuk do të mund t’ia dalim. P.S. E ata që e kanë vjedhur paranë publike duhet një nga një t’ia kthejnë sot shtetit”, ka thënë Fitore Pacolli.

Kurse, deputeti Eman Rrahmani ka pohuar se 50 % të pagës do ta dhurojë për familjet në nevojë në Prishtinë, duke blerë pako higjienike dhe ushqimore.

“Paga ime e parë si deputet që kam marr është 1373.07 euro. Andaj unë kam vendos që ti pergjigjem thirrjes për ndihmë nga Kryeministri Kurti për kontribut në luftimin e COVID-19 duke dhuruar 50% të pagës për fondin e krijuar për luftimin e COVID-19. Ndërsa 50%-shin tjetër të pagës do ta dhuroj për familjet në nevojë në Prishtinë, duke blerë pako higjenike dhe ushqimore. Bashkë në ditë të mira, bashkë në ditë të vështira”, ka thënë Eman Rrahmani.

Deputeti Valon Ramadani, ka thënë se po e ndjek shembullin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe se ndan gjysmën e pagës për menaxhimin e pandemisë së coronavirusit.

“Paga për fondin, fondi për ndihma.Duke e ndjekur shembullin e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e në mbështetje të iniciativës së tij, ndaj gjysmën e pagës së këtij muaji për fondin e menaxhimit të pandemisë Covid-19.
Pra, gjysma nga paga ime e deputetit shkon në këtë fond, dhe njëherit ftoj të gjithë kolegët deputetë të cilët kanë mundësi, e këdo tjetër që mundet, të solidarizohet në këtë mënyrë e të ndihmojë dhe të kontribuojë për këtë situatë jo të lehtë ekonomike”, ka thënë Valon Ramadani.

Edhe deputeti Fitim Haziri ka njoftuar se do ta ndajë gjysmën e pagës.

“Pas kryeministrit Kurti, në mundësitë tona.Bashkë mund t’ia dalim”, ka thënë Fitim Haziri.