Avdullah Hoti: Hera e tretë që po flitet për gjakderdhje

0
13

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se është hera e tretë që po flitet për gjakderdhje në Kosovë duke iu referuar deklaratave të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, në RTV Dukagjini.

“Tri referenca janë bërë deri më tani për gjakderdhje. E para është bërë në Kuvend nga Kryeministri në detyrë, e dyta nga Tirana dhe e treta sot nga Mitrovica. Por, jam i bindur se kjo shoqëri ka maturitetin e nevojshëm për të ndaluar zërat e tillë, tash, menjëherë dhe përgjithmonë”, shkroi Hoti në Facebook.

Në postimin e tij, ai tha se partitë në konsultimet me presidentin duhet të vendosin për qeveri të re ose caktimin e datës së zgjedhjeve, pasi rrugë tjetër nuk ka.

Postimi i tij i plotë:

Kosova është me qeveri në detyrë, e cila duhet të kujdeset për menaxhimin e situatës emergjente shëndetësore nëpër të cilën po kalojmë. D he deri më tani ka bërë punë të mirë, duke përfillur këshillat e ekspertëve shëndetësorë të IKSHP, me përjashtim të mungesës të një koordinimi më të afërt me komunat nga kreu i Qeverisë dhe mbështetjes më të madhe për komunat, si dhe për policë, doganierë dhe të tjerë që janë në ballë të kësaj pandemie.

Partitë politike duhet të kryejnë konsultimet e thirrura nga Presidenti, i cili është i obliguar të përfillë procedurat kushtetuese për themelimin e Qeverisë së re.

Partitë politike në këto konsultime duhet të vendosin për njërin nga këto dy opsione.

E para, nëse ka vullnet për të formuar një shumicë të re parlamentare, atëherë Kuvendit i propozohet përbërja e Qeverisë së re nga partitë politike që e përbëjnë këtë shumicë parlamentare.

E dyta, nëse nuk ka vullnet për të formuar një shumicë të tillë parlamentare, atëherë partitë dakordohen për datën e zgjedhjeve, e cilat duhet të jetë në një kohë të përshtatshme pas tejkalimit të kësaj situate.

Rrugë tjetër nuk ka. Të gjithë të bëhemi të përgjegjshëm për respektimin e Kushtetutës dhe rendit demokratik.

Tri referenca janë bërë deri më tani për gjakderdhje. E para është bërë në Kuvend nga Kryeministri në detyrë, e dyta nga Tirana dhe e treta sot nga Mitrovica.

Por, jam i bindur se kjo shoqëri ka maturitetin e nevojshëm për të ndaluar zërat e tillë, tash, menjëherë dhe përgjithmonë.