10.3 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Enver Hasani kujton nënën e tij, thotë se vendi ku lindi do të ngelë nën Serbi

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani sot duke kujtuar nënën e tij e cila është vrarë nga forcat serbe, duke thënë se edhe vendi ku lindi ajo Gazivoda mund t’i falet Serbisë.

Hasani në një postim në rrjetin social Facebook shkruan

Lexoni të plotë postimin e Hasanit në Facebook:

“Nënë e dashur,

Sot nuk mund të vij te varri yt, për të vënë kurorë, më shokët dhe miqtë, më bijtë e bijat që linde, më vëllain tënd Hysenin, me askënd.

E di se e din që unë sot nuk do të jem te varri yt, për të kujtuar respektin për ty dhe ditën që të vrau diktatori serb S. Millosheviq, së bashku me mijëra të tjerë.

Ti e din, Nënë e dashur, se unë do të doja të jem me ty, së bashku më plot të tjerë, shokë të mi, me fëmijët e tu, vëllain tënd. Nuk mund të vij sot Nënë e dashur, se botën e ka kapluar një frikë që po i thonë VIRUSI KORONA.

Po vret në katër anët e botës, Nanë e dashur. Jemi bërë të njëjtë, Nanë e dashur, me amerikanët dhe evropianët, me rusët dhe afrikanët, me kinezët e latino-amerikanët, krejt bota u bë një.

Frika, Nanë e dashur, nuk paska identitet, njëjtë si varfëria dhe e liga. Qenka shumë universale. Vetëm ta shihje Nanë, si frikësohet kryetari i Amerikës, i Kinës dhe Rusisë, njëjtë sikur ne.

Nanë e dashur, Kosova po rrin stoike në durimin e terriorit serb, atij që të vrau ty. Po i bën ballë Serbisë dhe frymës së Kishës Serbe për Kosovën, që na shohin si numra pa vlerë në tokën e tyre të shenjtë.

Kosova, Nanë e dashur, si në kohën tënde kur më linde, po i ha kokat e bijve të saj, atyre që po çojnë krye për të ruajtur dinjitetin e saj të nëpërkëmbur.

Po ha koka, Nanë e dashur, sepse Serbisë akoma po ia mbajnë ison njerëzit tanë, siç ia kanë mbajtur dikur në kohën kur më linde mua dhe vëllezërit e motrat e mia. Veçse tani moj Nanë, po na thonë që sytë po na bëjnë se kjo nuk është mbajtje isoje por për të mirën e Kosovës dhe se duan Rusinë ta largojnë nga këtu.

A bën, moj Nanë e dashur, që Kosova copëtohet dhe Rusia largohet jo veç nga Kosova por nga krejt Ballkani? Si duket, Nanë e dashur, rruga jonë për perëndim po shkon përmes Rusisë dhe ti e mijëra të tjerë jeni vrarë kot.

Desha, moj Nanë e dashur, veç të të falënderoj, jo të të lodhi me politikë, dhe të kërkoj falje që sot nuk po mund të jem me ty, as unë dhe as shokët e ata që i linde, as daja Hysen dhe askush. Ka dalë një mortajë moj Nanë, për të cilën na kë folë si fëmijë, se si kanë vdekur të parët e tu, aty ku sot e ke lapidarin në fshatin Vllahi, dhe do të na qesë fare.

U bë mire Nanë, që nuk u rivarrose në fshatin ku linde. Ai fshat moj Nanë, në këtë botë me sa duket, do të ngelë nën Serbi, bashkë më shumë fshatra të tjerë. A të kujtohet Gazivoda? Po, vendi ku lindi Isa Bioletini, që baba yt e ka pasur bashkëluftëtar? Krejt ato fshatra moj Nanë, në Serbi do të ngelin!

Por, Nanë e dashur, mos u mërzit, se Rusinë nga Ballkani po e hjekim!

Kosova, moj Nanë, nuk po mendon për ty, as për mua e as për askënd. Ka ngelur si në kohën kur u vrave ti nga dora e gjakpirësit të Ballkanit, që tani do të lirohet nga rusët kur toka e Kosovës të jepet si pajë, dhe koka turku në Kosovë do të sjellin për ta liruar këtë rajon nga rusët.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës Nanë, ty dhe krejt atyre që u vranë nga dora e njëjtë. Ju u vratë vërtetë për ta hequr Rusinë nga ky rajon i Evropës. Aty ku je, afër teje krejtësisht, do të jemi së bashku shumë shpejt, ndoshta nga Virusi Korona, por gjithsesi do të jem aty.

Deri atëherë, Nanë, jo se dua të të lodh, por dua të ta kujtoj një shkrimtar timin të dashur. Njëfarë Aldous Huxley, që pati thënë “Kujtesa e çdo njeriu është letërsia e tij private”. Koha me ty, Nanë e dashur, është letërsia ime e preferuar, e që s’mund ta lexojë kush pos meje.

Të përqafon me mall, biri yt, Enveri”. /Telegrafi/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles