Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkarkuar sot nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun.
Ky vendim i kryeministrit Kurti erdhi si rezultat i një deklarate që Veliu kishte dhënë mbrëmë ku kishte deklaruar se “numri i personave të prekur me coronavirus po rritet orë pas ore”, e këtë deklaratë kryeministri Kurti e cilësoi deklaratë e cila përhapë panik.
Në vendimin të cilin e ka siguruar Telegrafi thuhet se “ z.Agim Veliu lirohet nga posti i Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Obligohet Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Zyra e Kryeministrit ta zbatojnë këtë vendim. Vendimi hynë në fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryeministri”
Këtë vendim të Kurtit nuk e ka pranuar as kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili i kërkoi Kurtit ta anulojë këtë vendim dhe ta heq taksën ndaj Serbisë deri në fund të kësaj jave.