FFK me njoftim: Jemi në kontakte të vazhdueshme me futbollistët, gjendja e tyre është e mirë

0
10

Federata e Futbollit e Kosovës me anë të kryetarit Agim Ademi ka lëshuar një njoftim shumë të rëndësishëm në lidhje me futbollistët e Përfaqësueses pas përhapjes së madhe të coronavirusit.

FFK para disa ditësh ka njoftuar se janë pezulluar të gjitha ndeshjet deri në një vendim të ri, pas vendimit nga Qeveria e Kosovës.

Tani kur situata ka filluar të përshkallëzohet dhe coronavirusi të përhapet edhe më shumë, FFK ka dalë me një njoftim në lidhje me futbollistët.

Njoftimi pa ndërhyrje i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të njoftojë opinionin se vazhdon të jetë pranë futbollistëve anë e kënd Kosovës, e në veçanti futbollistëve të ekipit Përfaqësues që luajnë në çdo skaj të Evropës.

Presidenti Agim Ademi njofton se fatmirësisht futbollistët e ekipit Kombëtar janë të gjithë mirë, ndonëse vazhdojnë të jenë në disa prej zonave më të goditura nga COVID-19.

“Ne kemi pasur kontakte me të gjithë futbollistët por sidomos me ata që janë në zonat më të rrezikuara. Unë si President dhe menaxheri i ekipit Kombëtar, Bajram Shala kemi qenë në kontakt me ta dhe unë u kam ofruar gjithçka që ata mund të kenë nevojë, përfshirë transportet speciale për ata që janë në zona më të rrezikuara.

Normalisht më të rrezikuarit janë Samir Ujkani e Amir Rrahmani që vazhdojnë të jenë në Itali (vendi më i goditur në Evropë), por fatmirësisht të dy janë shumë mirë ndonëse janë në karantinë. Ndërsa, të rrezikuar kanë qenë edhe Florent Muslija dhe Arjanet Muric, pasi pjesëtarë të klubeve të tyre kanë testuar pozitiv, por fatmirësisht edhe Muslija edhe Muric kanë dal negativë në testet e tyre.

Unë kam kontaktuar edhe me selektorin Bernard Challandes që është në një vend tjetër të goditur nga virusi (Zvicër) edhe ai fatmirësisht është mirë dhe jep mesazhin se tashmë është koha që përtej futbollit të mendojmë shëndetin e futbollistëve, punëtorëve sportiv, tifozëve dhe gjithë njerëzve në tërë globin që po përballen me këto vështirësi.

Dua që në emër të Federatës t’ u bëj apel të gjithëve që të kenë kujdes dhe t’ u përmbahen këshillave të institucioneve”, përfundon deklarata e presidentit Ademi.

FFK-ja vazhdon të mbetet në pritje të vendimit të UEFA-s për ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore, e paraparë të zhvillohet më 26 mars.