Prindërit kundër renovimeve në shkollën “Ismail Qemali” në kohën kur nxënësit janë në mësim, Drejtoria thotë se s’ka vend për shqetësim 1 minut

0
24

Në kohën kur në krejt Evropën kanë dhënë alarmin për kujdes, higjienë të shtuar dhe ajrosje me qëllim të mbrojtjes nga Coronavirusi, në shkollën fillore “Ismajl Qemali” në Prishtinë po bëhen renovime gjatë orarit kur mbahet mësimi dhe nxënësit po detyrohen të mbajnë mësim edhe në hapësira jo shumë të përshtatshme.

Në disa foto të siguruara nga Telegrafi shihen pamje të punimeve dhe të podrumit ku nxënësit do të mbajnë mësim, pasi në klasat e tyre po bëhen renovime të dyshemesë.

Prindër të shqetësuar thanë se nxënësit mësimin po e zhvillojnë në ambiente jo mirë të ajrosura dhe të papërshtatshme për zhvillimin e mësimit.

“…vendi ku po mbahet mësimi edhe ku po zhvillohen punimet nga kompania e kontraktuar në të njëjtën kohë janë në të hapësirë dhe nxënësit janë detyruar të ndërrojnë disa herë klasat duke u drejtuar edhe në bodrum të shkollës”, tha njëri nga prindërit për Telegrafin.

Por, drejtoresha e kësaj shkolle, Kimete Dida e mohon se nxënësit po rrezikohen dhe se po mbajnë mësimin në një ambient jo mirë të ajrosur.

“…Bash nuk është e vërtetë…Projekti ka filluar më herët dhe projektin në gjysmë nuk mundemi ta lëmë… Dyshemeja po riparohet”, tha ajo.

Dida po ashtu tha se tri klasë janë paradite dhe tri pasdite, por nxënësit nuk po qëndrojnë në ambiente të pa ajrosura.

Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” tha se punimet përfundojnë brenda dy javësh.  Sipas saj, shkolla është e pajisura edhe me mjete higjienike të nevojshme.