Sanije Desku nga Malisheva ka ndihmuar rreth 100 gra që të lindin fëmijët e tyre gjatë luftës në vitet 1998-1999. Shumë fëmijë kanë lindur derisa forcat serbe kanë bombarduar fshatrat e kësaj komune.
Ajo thotë se ka pasur shumë raste të lindjeve të vështira në luftë.
“Janë 83-84 lindje në luftë, që i kam regjistruar, por nuk kam mundur t’i shënoj të gjitha”, rrëfen ajo.
“Asnjë rast nuk më ka vdekur në luftë, as nënë as fëmijë,… duke qëndruar edhe në shi derisa lindte gruaja. As dorëza nuk ka pasur, as gjëra elementare s’kemi pasur”, tregon Sanija në një rrëfim për REL, përcjell Telegrafi.
Ajo thotë se lindjet kryesisht janë kryer në ambient të hapur, ndonjëherë në ndonjë objekt ndihmës, pothuaj të rrënuar krejt, pa kulm pa dritare,… por zakonisht nëpër male.
Mamia e kohës së luftës tregon se shumë lindje janë kryer derisa forcat serbe granatonin shtëpitë në fshatrat e Malishevës.
“Në disa raste edhe kam qarë prej emocioneve, kur shpëtonin nëna dhe fëmija. Gëzim më të madh nuk kam pasur. Në ato kushte luftë, në fushë, nuk kishte as ndonjë mbulojë najloni të kryheshin lindjet, por bëheshin më ndonjë gropë. Granatonin andej, e këndej dëgjohej foshnja duke qarë. Nuk kishte gëzim më të madh”, rrëfen Sanija.