Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka sqaruar vendimin e Qeverisë aktuale për shfuqizimin e Qeverisë Haradinaj që ia mundësonte operatorit “Bechtel&Enka” edhe 50 milionë euro shtesë për dy kyçje në një mbikalim në autostradën “Arbën Xhaferi.
Abdixhiku, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për këtë vendim të Qeverisë, ka thënë se “vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë?”
Postimi i plotë i Abdixhikut:
“Siç edhe ndodh me secilin vendim tjetër të Qeverisë sonë, opozita e zënë ngushtë e pa argument, e provon propagandën. Dhe propaganda e radhës qenka se me ndalesën e 50 milionëshit të djeshëm, ne i kemi lënë banorët e regjionit të Vitisë pa qasje në autostradë. Si arrijnë në këtë përfundim?!
Qasja e Vitisë në autostradë garantohet me Vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më parë. Vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë?
Kyçjen në Gërlicë të Vitisë e kemi paraparë edhe në programin qeveritar LDK-LVV; kapitulli i 8-te, faqe 32. Për dallim prej fjalëve të qeverisë së shkuar, ne do ta bëjmë këtë punë në këtë mandat. Më mirë e më lirë; më drejtë e më pastërt”, ka shkruar Abdixhiku.
Qeveria e Kosovës të premten ka shfuqizuar vendimin e marr nga Qeveria Haradinaj që ia mundësonte Bechtel Enka-s edhe 50 milionë euro shtesë për ndërtimin e dy kyçeve dhe një mbikalimi në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku tha se kostoja e prezantuar nga konsorciumi Bechtel Enka kap vlerën e 49.6 milion eurove.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit, duke thënë se ky vendim i ministrit Abdixhiku është mashtrim i radhës i Qeverisë Kurti.