Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq ka thënë se Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Washington është dakorduar për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara (KB) dhe se kreu i administratës amerikane ka pritshmëri të mëdha nga Beogradi dhe Prishtina menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 26 prillit në Serbi.
“Pas zgjedhjeve në Serbi ata kanë pritshmëri të mëdha. Kjo pasi zyrtari i lartë amerikan Richard Grenell, të cilit iu dha një pozicion jashtëzakonisht i lartë për të mbikëqyrur të gjitha shërbimet e inteligjencës amerikane, vendosi të mbetet i përfshirë në procesi (negociatat për Kosovën), konstatimi im është se ai dhe kreu i administratës amerikane presin që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshjen deri në nëntor. Kur ua shpreha mendimin tim bashkëbiseduesve në Washington, askush nuk tha që ata nuk pajtohet”, citohet t’i ketë thënë Jeremiq.
Ish-shefi i diplomacisë serbe dhe ish-përfaqësuesi i Serbisë në Kombet e Bashkuara, sipas Zërit të Amerikës (edicioni në gjuhen serbe), ka biseduar me përfaqësuesit e administratës amerikane në Departamentin e Shtetit dhe ka psur takime me kongresistë e senatorë.
I pyetur nëse e dinte se çfarë ishte rënë dakord për Kosovën, Jeremiç, ka thënë se bashkëbiseduesit e tij në SHBA nuk i kishin thënë atij dhe se do të ishte jo korrekte të përcillte edhe spekulimet që ia përcollën ata.
“Pritja ime është se bëhet fjalë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, që nënkupton që Kosova të bëhet anëtare e KB”, tha Jeremiq, përcjell Telegrafi.
Ai tha në bisedime me zyrtarët amerikanë se u përqendrua në atë që pritet në Serbi pas zgjedhjeve, ose se si të arrihet tek zgjidhja e drejtë pas 26 prillit.