Kurti: Çdo marrëveshje ndërkombëtare do ta bëjë publike, presidenti refuzoi të më takonte

0
30

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me shkëmbimin e letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme të thirrur për media ka theksuar se shkëmbimi i letrave mes Thaçit dhe Anders Fogh Rasmussen, lidhur me FSK-në, është shkelje flagrante dhe se me këtë duhet të merren organet e drejtësisë, transmeton Telegrafi.

“I kam dërguar një letër edhe presidentit, dhe kryeprokurorit Lumezi, që ka të bëjë më një marrëveshje sekrete të nënshkruar nga kryeministri Thaçi më 19 prill 2013. Atë ditë nuk ishte një marrëveshje në Bruksel, por ishin dy marrëveshje, dhe një mes Thaçit dhe Daqiçit dhe një tjetër e cila ishte zotim i njëanshëm i ish-kryeministrit Thaçi lidhur me FSK-në, e cila pa dakordim paraprak me KFOR-in, nuk do të shkojë në Kosovën veriore. Për neve është e rëndësishme të dihet se kush e kërkuar një gjë të tillë, ne nuk besojmë që Brukseli e ka kërkuar një zotim të tillë të ish-kryeministrit Thaçi, mund ta ketë kërkuar Serbia , pra kjo gjë duhet të shqyrtohet”, ka thënë Kurti një një konferencë për media.

Kurti ka bërë të ditur se para se të shkoj në Konferencën e Mynihut është përpjekur ta takojë presidentin Thaçi.

“Para se të shkojë në konferencën e Mynihut unë jam përpjekur që ta takojë presidentin e Kosovës në mënyrë që të dakordohemi për politikën e jashtme, edhe sot jam i interesuar e të takohem.
Prej 3 shkurti, është Qeveria e re, ku u bë ndryshimi i madh politik. Dialogun me Serbinë do ta përgatisim mirë e me parime, por atë e udhëheqi unë, politika e jashtme nuk është vetëm Serbia. Unë insistoj se duhet të jemi njëzëri me presidentin në politikën e jashtme. Shkëmbimi i letrave është shkelje flagrante, që do të duhej të merren organet e drejtësisë. Nesër në mëngjes kam takim me komandantin e KFOR-it, FSK dhe NATO janë gjithmonë bashkë. Shqetësimi ka të bëjë më një zotim të njëanshëm të ish-kryeministrit Thaçi, tashmë president”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se duan marrëdhënie të mira me NATO-n, mirëpo çdo marrëveshje duhet të jetë publike. /Telegrafi/