Vendet e Quintit kundërshtojnë Dodikun

0
29

Me kërkesë të DW, Ministria e Jashtme gjermane jep një deklaratë të përbashkët të vendeve të Quintit për gjendjen në Bosnjë-Hercegovinë. SHBA, Britania e Madhe, Italia, Franca, Gjermania kërkojnë stabilitet në këtë vend.

“Qeveria gjermane e mbështet një Bosnjë-Hercegovinë stabile dhe funksionale, ku respektohen parimet e shtetit juridik dhe integriteti territorial”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme, të lëshuar në emër të vendeve të Quintit. Elementi më i rëndësishëm i stabilitetit në këtë vend, sipas këtyre vendeve, është Marrëveshja e Dejtonit, me të gjitha aspektet e veta. “Retorika secesioniste, sikur edhe bllokadat dhe ultimatumet, e kthejnë këtë vend mbrapa. Bosnje-Hercegovina ka nevojë për institucione funksionale dhe reforma që e përshpejtojnë shkuarjen e këtij vendi në drejtim të Bashkimit Evropian”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme dhe nënvizohet: “Respektimi i parimeve të shtetit juridik është elementi kyç, ndërsa Gjykata Kushtetuese institucioni më i lartë në vend, i cili duhet të respektohet”.

Përfaqësuesit e pesë vendeve më të zhvilluara industriale perëndimore mendojnë se Bosnjë-Hercegovina gjendet para sfidave të mëdha. Institucionet juridike të emëruara së fundi nga Gjykata Evropiane duhet të respektohen dhe kanë një detyrë shumë të rëndësishme.

Gjykata Kushtetuese

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe detyruese, si edhe Kushtetuta e vendit. Ndaj mendojmë se vendimi i Milorad Dodikut, për të bllokuar tregtinë dhe funksionimin e institucioneve të vendit, me synim kontestimin e institucioneve si dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës është shumë i dëmshëm jo vetëm për këtë vend, por edhe për afrimin e vendit me Bashkimin Evropian. Ndaj të domosdoshme janë reformat dhe sundimi i ligjit si dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend. Çëshja e zgjedhjeve lokale në Mostar duhet të zgjidhet sa më parë”, thuhet në reagimin e këtyre vendeve, dërguar DW.

Kërcënimet e Dodikut

Dodiku më parë ka kërcënuar se do të insistojë për ndarjen dhe shkëputjen e Republikës Serpska nga Bosnje-Hercegovina. ‘Goodbye BiH, welcome RS-exit’, deklaroi së fundi Dodiku. Analistët thonë se ai në këtë mënyrë cënon drejtpërdrejt themelet e shtetit dhe cënon Marrëveshjen e Dejtonit. Ata kujtojnë se një projekt i këtillë ka ekzistuar edhe në vitin 2011 kur akademikët e atëhershëm Dobrica Qosiq dhe Lubomir Tadiq kanë hartuar një dokument me të cilin kërkohej ndarja e RS. Në këtë dokument thuhej se B-H nuk mund të funksionojë dhe se institucionet e saj janë antiserbe. Ndaj kërkohej ndarja e serbëve nga ky vend. Në media kujtohet edhe Memorandumi II, i vitit 1986 i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ku kërkohej bashkimi i trojeve serbe. Ndërkohë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk është distancuar qartë nga deklaratat e fundit të Dodikut. /DW/