Zyrtare: Grenell emërohet Drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare

0
18

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë të ditur se ka emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si Drejtor në detyrë të Inteligjencës Kombëtare.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti Trump, përmes një postimi në Twitter, përcjell Telegrafi.

“Unë jam i kënaqur të njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet Drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare. Rick ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të”, ka shkruar Trump në Twitter.

“Unë do të doja të falënderoja Joe Maguire për punën e mrekullueshme që ai ka bërë, dhe mezi presim të punojmë me të nga afër, mbase në një kapacitet tjetër brenda Administratës!”, ka shkruar më tej presidenti Trump.

Ndryshe, Grenell deri më tani ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Berlin.

Ai njëherësh ishte caktuar edhe si i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, siç shkruan Zëri i Amerikës, Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është CIA.

Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit.

CNN njoftoi se Ambasadori Grenell kishte shprehur prej kohe dëshirën për t’u larguar nga posti në Gjermani dhe për të shkuar në sektorin privat, ose në një post tjetër qeveritar.

Ambasadori Grenell njihet si përkrahës i fortë i Presidentit Trump.

Posti i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar duhet të konfirmohet nga Senati.

Po sipas VOA, nuk është e qartë nëse Ambasadori Grenell do të marrë miratimin për t’u konfirmuar në këtë post, pasi shumë senatorë kanë shprehur rezerva për shkak të punës së tij në Gjermani. /Telegrafi/