Një përleshje fizike midis disa shqiptarëve dhe serbëve ka ndodhur këtë të diel në Fushë Kosovë.
Si pasojë, tre persona kanë mbetur të lënduar.
Policia bën të ditur se personat që janë përfshirë në rrahje janë fqinj.
Zëdhënës i Policisë së Kosovës, Duat Hoxha, ka thënë se rasti ka ndodhur në ora 17.20, në rrugën “Feriz Krasniqi”.
“Sipas informacioneve fillestare, mos marrëveshja ka qenë për shkak të një parkingu. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Tre persona janë lënduar dhe pas trajtimit mjekësor, ata janë liruar”, ka thënë Hoxha.
Policia nuk ka dhënë më shumë detaje, duke thënë se për çdo zhvillim tjetër do të ketë informata shtesë ndërkohë.