7.8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Gjinovci pretendon se ambasadori gjerman ka ndërhyrë në Agjencinë e Akredimit për kolegjin “Heimerer”

Aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, po pretendon se ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, për shkak të kolegjit “Heimerer” është përzier në punën e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Gjinovci ka publikuar një email të cilin ambasadori Heldt ia ka shkruar kreut të AKA’së, Gazmend Lubotenit, e në të cilin ka kërkuar akreditim sa më të shpejtë të mundur.

“Në mënyrë që Kolegji Hemirer të mund t’ua ofrojë studentëve programet respektive në vitin shkollor 2019/2020, është e një rëndësie të lartë që Agjencia të vendosë sa më shpejt që është e mundur. Prandaj, ju inkurajojmë që të thërrisni një mbledhje të Bordit të Agjencisë, ku do të mund të merrej një vendim i tillë, sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht deri më 15 nëntor 2019”, thuhet në emailin që Heldt ia ka dërguar Gazmend Lubotenit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Për Gjinovcin një gjë e tillë është e papranueshme dhe një ndërhyrje në punët e AKA’së, dhe sipas tij janë këto ndërhyrje të politikanëve dhe njerëzve të fuqishëm që kanë shkatërruar arsimin.

“Nëse ka diçka që ka shkaktuar horror në arsim, në arsimin e lartë në veçanti, ajo s’mund të jetë tjetër veçse ndërhyrja politike e private e politikanëve dhe të fuqishmëve të tjerë përgjatë viteve”, ka shkruar Gjinovci në atë që ai e quan ‘denoncim publik’.

Kreu i ORCA-s në reagimin e tij thotë se pavarësisht kësaj ndërhyrje të Heldt, Agjencia e Akreditimit të Kosovës më 16 dhe 17 janar nga 3 programe, Heimererit i ka akredituar vetëm 1. Gjinovci thotë se pas këtij vendimit të AKA’së, ka tentuar që të ndërhyjë ish-kryeministri Haradinaj, ndërhyrje këto që Gjinovci thotë se i kanë kushtuar Kosovës me përjashtim nga ENQA dhe EQAR.

“Megjithatë, anëtarët e bordit të Agjencisë në mbledhjen e fundit të mbajtur me 16-17 janar 2020 kanë shqyrtuar 3 programe të Kolegjit Heimerer ku vetëm një program u miratua. E kjo, provokoi presionin përfundimtar nga fatmirësisht tashmë, ish kryeministri Haradinaj, i cili më 30 janar 2020 tentoi të bënte ndërhyrjen e tij të fundit nga seria e ndërhyrjeve që Kosovën e përjashtuan nga EQAR dhe ENQA”, ka theksuar ndër të tjera ai.

Në këtë reagim Gjinovci ka bashkëngjitur edhe disa fotografi të vizitave të ambasadorit gjerman Heldt në kolegjin Heimerer.

Ndërkohë në fund ai thotë se ky reagim nuk është denoncim për Gjermaninë, pasi që sipas tij nuk dihet nëse këto janë qëndrime të ambasadorit Heldt apo shtetit gjerman.

“Të dashur, ky denoncim nuk përbën një denoncim ndaj Gjermanisë pasi ne nuk e dimë a janë këto qëndrime të Ambasadorit Heldt edhe qëndrime të shtetit gjerman. Ky denoncim nuk është ofendim. Ky denoncim nuk pretendon t’i fus të gjithë ndërkombëtarët me një thes. Ky denoncim nuk është as ankesa e dëshpëruar e dikujt që ka humbur shpresat, përkundrazi është një shpallje e fitores së përpjekjeve të shoqërisë sonë për t’u çliruar nga korrupsioni dhe ndërhyrjet politike e diplomatike në institucionet tona të pavarura”, ka thënë ndër të tjera Gjinovci.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles