Strategjia e re e Komisionit Evropian për Ballkanin

0
30

Vetëm disa ditë pas Brexitit dhe daljes së një shteti nga BE, në Bruksel do të shtrohet pyetja: Si do të jetë perspektiva e mëtejshme e zgjerimit të BE? Komisioni Evropian paraqet sot strategjinë re.

Franca në tetor të vitit 2019 ka bllokuar hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe në këtë mënyrë ka frenuar proceset për zgjerimin e BE.

Presidenti, Emmanuel Macron është përgjigjur ndaj kritikave, se po bën një “gabim historik” ndaj Ballkanit Perëndimor me pohimet se ai “ka marrë rolin negativ” por nuk është i vetëm në qëndrimet për ridefinimin e procesit të zgjerimit të BE.

Ky pozicion i Francës e ka kthyer vëmendjen tek politika e zgjerimit të BE, që nënkupton edhe domosdoshmërinë e ridefinimit të procesit, i cili paraqitet si tepër burokratik, konfuz dhe i komplikuar.

“Politika e zgjerimit të BE është trajtuar shpesh. Por ndryshimi i fundit serioz ka ndodhur në vitin 2003. Ndërkohë kemi mësuar shumë leksione të rëndësishme dhe ka ardhur koha të eliminojmë pengesat në këtë rrugë. Ka ardhur koha për përmirësime dhe rritjen e kredibilitetit të BE”, pohon Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Ballkanin.

Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020 janë paraqitur disa ide për rishikimin e procesit të zgjerimit. Jo vetëm Franca por edhe disa vende të tjera kanë paraqitur propozimet e tyre. Por esenca është fokusimi tek mbështetja e këtyre vendeve, efikasiteti dhe dinamizimi i procesit. Komisioni i ri Evropian ka marrë përsipër të hartojë edhe një propozim të ri dhe metodologji të re për zgjerimin.

Metodologjia e re

Komisioni Evropian dhe komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi do të paraqesin propozimin e tyre më 5 shkurt. Në Komision thuhet se propozimi ka marrë parasysh qëndrimet e shteteve anëtare dhe “interesat gjeostrategjike të BE”, por edhe interesat e vendeve që duan të futen në BE.

Komisioneri Varhelyi thotë se metodologjia e re do të bazohet në katër parime: kredibiliteti, parashikueshmëria, dinamika dhe forcimi i udhëheqjes politike. Ai kërkon një proces më dinamik dhe më me kredibilitet për zgjerimin.

“Nuk duan të ndalim procesin e zgjerimit, por të përparojmë procesin”, thonë në KE. Fokusi i metodologjisë së re do të vendoset tek forcimi i shtetit juridik, forcimi i institucioneve demokratike dhe zhvillimi ekonomik. “Këto janë çështjet, të cilat prekin vet thelbin e transformimit të shoqërive në Ballkanin Perëndimor”, mendon Varhelyi.

Komisioneri mendon se këtë metodologji nuk duhet ta aplikojnë Serbia dhe Mali i Zi, të cilat janë futur në negociata me rregullat aktuale. Por pritet që edhe në negociatat me këto dy vende të kenë modifikime dhe përshtatje sipas metodologjisë së re dhe të vjetër.

Të gjithë në Bruksel insistojnë që synimi i fundit i negociatave të jetë anëtarësimi i plotfuqishëm në BE.

Në Bruksel mendohet se strategjia e re do të definojë çështjen e kapitujve të negociatave, çështjen e financimit, ndërlidhjet më të mira mes respektimit të shtetit juridik dhe financave, procesin e transformimit të Ballkanit Perëndimor.

KE parashikon hapjen e një debati të gjerë për këtë strategji, menjëherë pas prezantimit të saj. Në Bruksel shpresohet, se në samitin e majit në Zagreb do të hapen negociatat edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se kjo do të rezultojë me një hov të ri për zgjerimin e BE. /DW/