7.8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Lotët për largimin e Britanisë së Madhe

Emocionet janë moment i rrallë në selinë e Brukselit. Por, këto ditë, kur ndarja me Britaninë e Madhe bëhej gjithnjë e më reale, shumë gjëra ishin ndryshe. Unë kam raportuar për Brexit-in që nga koha e referendumit, por më duhet të them se kur të enjten në mbrëmje, Grand Place, në zemër të Brukselit shkëlqeu për herë të fundit me ngjyrat e flamurit britanik, dhe disa britanikë mbanin lart për herë të fundit flamujt e BE-së, ndjeva rrëqethje. Trishtim, gati një atmosferë zie në Bruksel, sepse pas 47 vitesh, një vend kaq i rëndësishëm, pragmatik dhe i suksesshëm thotë lamtumirë.

Për herë të parë nga koha si korrespondent në Bruksel pashë se si në Parlamentin Evropian këndoheshin spontanisht këngë në anglisht dhe rridhnin lotët. Ka edhe një lidhje emocionale, e jo vetëm racionale me Britaninë e Madhe, vendin që ka lënë gjurmën e vet në Bashkimin Evropian.

Simpatia për njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar do të mbetet. Por, tek unë personalisht, do të mbetet edhe mosmiratimi për Brexit-in. Përkundër shumë debateve me përkrahësit e Brexit-it, nuk e kam kuptuar se cili është avantazhi real që do të krijohej nga një izolim i tillë. Me sa duket bëhet fjalë për një ndjesi tek shumë njerëz në Britaninë e Madhe, me në krye populistin, kryeministrin Boris Johnson. Ndjesia e të qënit i pavarur, i moskomanduar. Ndjesia se je zemra e një perandorie, që sundon oqeanet dhe jo pjesë e një fuqie të madhe me emrin Evropë e të organizuar si bashkësi. Një delegate e një partie konservatore në një kongres të tyre më tha njëherë se ajo do të dalë nga BE, “sepse ne jemi britanikë”. Ky vetëbesim, ky qëndrim më duket se është lajtmotivi për Brexit-in dhe grindjen disa dekadëshe në Britaninë e Madhe për BE-në dhe Evropën.

E, këtu nuk ndihmojnë as argumentet e qëndrueshëm, se britanikët që nga viti 1973 nuk u komanduan, por ishin të barabartë, dhe në disa tema madje pjesë e privilegjuar e BE-së. Për disa politikanë, Brexit-i është si një religjion me premtimin e shenjtë të shërimit. Kur të kemi dalë, gjërat do të bëhen më mirë vërtet? Populizmi fitoi. Ai ka fituar si në Britaninë e Madhe ashtu edhe në SHBA. Nuk është rastësi që presidenti amerikan dhe kryeministri britanik, me përfytyrimet e tyre të çuditshme politike janë miqtë më të mirë.

Brenda këtij trishtimi për largimin e pakuptimtë të tyre përzihet edhe një lloj besimi që në fund është arsyeja ajo që do të fitojë. Nëse Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut nuk i kanë punët mirë ekonomikisht, si atëherë në vitin 1973, atëherë ndoshta njerëzit do të kujtohen për bashkësinë e madhe në kontinent.

Kur të kuptohet, se pesha politika e Britanisë së Madhe pas Brexit-it do të zvogëlohet, atëherë ndoshta në Londër do të kujtohet gabimi i ndarjes nga BE. Një rianëtarësim nuk është përjashtuar. Për mendimin tim, miqtë britanikë i futen pa nevojë një aventure të rrezikshme. Ata u bien pas premtimeve jo reale. Kjo më bën të rrëqethem…Brexit-i është pra një ndjesi.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles