Kjo pritet të jetë java vendimtare rreth koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku edhe pas tre muajsh negociatash këto dy parti nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje për shkak të posteve.
Ditë më parë kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se deri të dielën do të dihet fati i koalicionit qeverisës, por megjithatë as dje nuk u mor vendim përfundimtar nëse do të ketë ose jo koalicion LVV-LDK.
Mbrëmë ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i cili ka thënë se në parim, koalicioni me Vetëvendosjen ka ndodhur, por po diskutohen vetëm detajet e marrëveshjes.
Nënkryetari i LDK-së në një postim në Facebook ka vlerësuar se një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, në këtë rast me Lëvizjen Vetëvendosje, udhëheqëse të Qeverisë e LDK-në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit.
Sipas tij, një ndarje e tillë, do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi siç ka thënë Haziri, agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re.
“Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë. Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdo lloj bombe të kurdisur të mandatit 4+”, ka shkruar ndër tjerash Haziri në Facebook.
Postimi i plotë:
Një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV’në udhëheqëse të Qeverisë e LDK’në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit.
Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re.
E kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se ne jemi gardianë të interesave të kësaj republike përmes LDK’së dhe vetëm përmes LDK’së.
Partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë.
Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë.
Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+. /Telegrafi/