Abdixhiku: Jo me çdo çmim duhet të bëhet koalicioni me Vetëvendosjen

0
18

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk është patjetër të arrihet marrëveshje me Vetëvendosjen.

Abdixhiku, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se mirëbesimi me Vetëvendosjen është dëmtuar por ende nuk është shuar plotësisht

Ai ka thënë se është vendim për të bërë koalicion me Vetëvendosjen por sipas tij “jo me çdo çmim duhet të bëhet koalicion me Vetëvendosjen”.

“Për shumë njerëz sot po shihet se “po u bëre me Vetëvendosjen e ki mirë, po u bëre ndryshe e ke gabim”. Unë nuk kam marrë vota nën logon e Vetëvendosjes. Unë nuk i përfaqësoj votuesit e Vetëvendosjes”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thotë se me Vetëvendosjen janë pajtuar në të gjitha temat e nxehta.

Ai ka thënë se megjithatë në Vetëvendosje ka njerëz që nuk e duan koalicionin me LDK-në por sipas tij ka edhe në LDK aso që nuk e duan koalicionin me Vetëvendosjen.

Duke folur për ndarjen e posteve ministrore Abdixhiku ka thënë se edhe në Austri ishte vonuar koalicioni pasi një parti nuk mund të kishte edhe Ministrinë e Brendshme edhe atë të Drejtësisë.

Ai ka thënë se Vetëvendosje ka kërkuar nga LDK që për shkak të përvojave te hidhura me ish zyrtarët e saj që kanë shfaqur video në publik, gjërat që bisedohen brenda të mos dalin jashtë.

“Ne jemi befasuar keq kur Glauk Konjufca doli në televizion dhe shfaqi mosbesim ndaj nesh pas dy vitesh bashkëpunimi në opozitë dhe pas dy muajve negociata”, tha ndër të tjera Lumir Abdixhiku.