Prioritetet sipas deputetëve – luftimi i krimit, zhvillimi ekonomik, taksa

0
16

Kuvendi i Kosovës, i konstituuar në përbërjen e re më 26 dhjetor, nuk ka arritur të mbajë ndonjë seancë plenare për shkak të mungesës së formimit të qeverisë. Zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës, do të ishte e pritshme që të ishte edhe vendimi i parë i kuvendit.

Ndërkohë që nuk ka një marrëveshje për qeverinë që do të dërgohej për votim në kuvend, deputetët e zgjedhur thonë se kanë disa prioritete gjatë punës së tyre si të zgjedhurit e popullit.

Disa deputetë e përmendin si prioritet luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të tjerët, siç thonë, ç’kapja e institucioneve apo edhe deputetë që thonë se do të mbrojnë taksën doganore ndaj Serbisë që të mbetet në fuqi edhe më tutje.

Për disa parti, prioritet do të jetë edhe ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, e për disa të tjera çështje tjera politike, siç është dialogu me Serbinë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo parti, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, i ka bërë publike prioritet e saj gjatë fushatës zgjedhore.

Të njëjtat tema, thotë ajo, janë diskutuar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën po diskutohet për formimin e qeverisë së re dhe shpreson që këto çështje të rëndësishme për qytetarët, të jetësohen gjatë këtij mandati.

“Prioritetet e Lëvizjes do të jenë ato që i kemi deklaruar gjatë fushatës zgjedhore, e të cilat edhe i kemi harmonizuar në programin me LDK-në, që kanë të bëjnë kryesisht me rendin dhe ligjin, me zhvillimin ekonomik dhe me gjithë legjislacionin që është vital për mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi”, thotë Nagavci.

Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), thonë se prioritetet janë të përcaktuara qysh nga fushatë zgjedhore.

Armend Zemaj nga LDK, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deputetët e kësaj partie do të punojnë në ato fusha që janë bazike për zhvillimin e Republikës së Kosovës.

“Ka të bëjë me zhvillimin ekonomik të Kosovës, thithjen e investimeve të jashtme sidomos, si nevojë imediate, sundimi i rendit dhe ligjit dhe subjektiviteti apo fuqizimi i subjektivitetit të Republikës së Kosovës, qoftë i brendshëm ose ndërkombëtar. Pa anashkaluar edhe ajo çka është primare edukimin, arsimin, shëndetësinë”, thotë Zemaj.

Ndryshe nga deputetët e dy partive që fituan më së shumti vota, partia e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), edhe në këtë mandat thotë se do të vazhdojë të mbrojë tarifën doganore të vendosur për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Pal Lekaj nga kjo parti, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e AAK-së do të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, por çështja më e rëndësishme, sipas tij, do të jetë dialogu me Serbinë.

“Ne do të jemi të vëmendshëm dhe të zëshëm aty ku nuk i përket që të hyjë Qeveria e Kosovës, që ta dëmtojë vendin, do të jemi kujdestar 24 orë. Dhe tjetra është taksa që ne nuk guxojmë të lëshojmë pe dhe do të jemi prapë kujdestar të kësaj çështjeje. Ne jemi për dialog, por që dialogu të shkojë në favor të formimit të shtetit të Kosovës”, thotë Lekaj.

Shumicën e këtyre prioriteteve, partitë politike i kanë shpalosur edhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Legjislatura e re, deri më tani ka mbajtur vetëm një seancë më 26 dhjetor, 2019. Ajo ishte seancë konstituive ku edhe është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës ,Glauk Konjufca dhe nënkryetarët e rinj.