Bytyçi: Në kohën e Veselit Kuvendi ishte i hapur për mediat, ndërsa tani LVV po i lë në oborr

0
28

Avni Bytyçi, këshilltar i liderit të PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se në mandatin e kryeparlamentarit Veseli, gazetarët, mediat dhe shoqëria civile asnjëherë nuk janë lënë në oborr kur brenda hapësirave të Kuvendit ka pasur takime e aktivitete.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se qe dy javë që Vetëvendosje e ka marrë ta udhëheqë Kuvendin, gazetarët po maltretohen duke i lënë me orë të tëra të presin jashtë në temperatura nën zero gradë celsius.

Bytyçi vlerëson se kjo mbyllje e hapësirave të Kuvendit për media, është një turp për VV-në.

Reagimi i plotë i Avni Bytyçit në Facebook:

Gjatë mandatit të kaluar, Kadri Veseli si Kryeparlamentar, kishte krijuar qasje të vazhdueshme në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për mediat, gazetarët, aktivistët e shoqerisë civile si dhe ekspertët e fushave të ndryshme. Ne, kishim krijuar një atmosferë të hapur në këtë institucion. Fundja, transparenca nuk është vetëm parim por mbi të gjitha edhe kulturë e demokracisë.

Ndërsa sot ndihem i befasuar që pothuajse pas dy javesh kjo praktikë tanimë e krijuar nga z. Veseli është ndaluar nga udhëheqësia aktuale e Kuvendit të Kosovës. Përfaqësuesit e mediave me orë të tëra qëndrojnë në temperatura nën zero (-) sepse ju ndalohet qasja fizike në objekt, kjo është thjeshtë turp!

Në këtë mashtrimin e tyre publik për formimin e qeverisë, së paku ta respektojnë njërin nga parimet bazë të demokracisë, atë të transparencës.

Mirëpo ekziston një problem thelbësor këtu që pastaj rezulton me këtë situatë.

Takimet e partive politike fare nuk duhet të ndodhnin në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendi është bartësi i sovranitetit të popullit si tërësi. Ajo nuk njeh parti politike, e aq më pak për aktivitete të tilla.

Kjo është edhe arsyeja pse Administrata e Kuvendit duke përfshirë Zyrën për media, nuk mund të jetë pjesë e këtyre aktiviteteve të imponura nga LVV dhe LDK në hapësirat e saj. Siç duket këto parti kanë menduar se bartja e negociatave nga oda e Isa Mustafës, tek restorantet e hoteleve, e pastaj në hapësirat e Kuvendit ju jep pak shije institucionale këtyre tregtarëve të karrigave për pushtet.

Zëdhëneësi i Vetëvendosjes në reagimin e tij tha se personalisht është kujdesur që gazetarët të kenë qasje në Kuvend, edhe pse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Por, problemi këtu qendron tek pyetja: Kush është zëdhënësi i një partie politike që të lejojë, të krijojë apo të mundësojë qasje në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës?

Andaj, pazaret për Qeverinë le t’i bëjnë këto dy parti në zyrat e tyre, duke respektuar minimumin e transparencës, se më shumë nga ta nuk presim!