11.7 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Njëvjetori i Ushtrisë së Kosovës, nën “tytën” e presionit ndërkombëtar

Kosova ende është në pritje të pasojave për formimin e Ushtrisë më 14 dhjetor të vitit 2018. NATO-ja kishte paralajmëruar masa serioze ndaj veprimit të institucioneve të Kosovës.

Por, zyrtarët kosovarë e shohin Ushtrinë e Kosovës pikërisht pjesë të Aleancës Veri-Atlantike.

Formimi i Ushtrisë, gjeti përkrahjen e Shteteve të Bashkuara, por u kundërshtua ashpër nga Rusia dhe Serbia.

Kjo është një kronologji e disa prej ngjarjeve dhe deklaratave për këtë proces.

5 DHJETOR 2018 – PARALAJMËRIMET E NATO-S DHE VENDOSMËRIA E KOSOVËS PËR USHTRINË

Disa ditë para se Kuvendi i Kosovës të votonte projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës”.

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqej “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”. Por, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës deklaruan se do të vazhdojnë me procesin e transformimit.

5 DHJETOR 2018 – MOSKA THOTË SE USHTRIA E KOSOVËS DO TË ISHTE “SHKELJE E REZOLUTËS 1244”

Planet e Kosovës për ushtrinë, u kundërshtuan ashpër nga Rusia.

“Ky hap do të ishte shkelje e drejtpërdrejtë e Rezolutës 1244, që është dokumenti i vetëm ligjor ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Rezoluta parasheh vetëm vendosjen e trupave shumëkombëshe në rajon, të kontrolluara ndërkombëtarisht”, tha ministria e Jashtme ruse, transmetoi agjencia TASS.

6 DHJETOR 2018 – KOSNETT: TRANSFORMIMI I FSK-SË NË USHTRI, HAP POZITIV DHE I NATYRSHËM

Si rëndom, atë që e kundërshton Rusia në raport me Kosovën, përkrahet nga Shtetet e Bashkuara. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë në një intervistë për transmetuesin publik se Uashingtoni ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur.

“SHBA-ja ka investuar shumë para, kemi kaluar shumë kohë në trajnime, kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”, ka thënë ai.

12 DHJETOR 2018 – GJENERALI AMERIKAN I NATO-S: TRANSFORMIMI I FSK-SË ËSHTË VENDIM SOVRAN I KOSOVËS

Derisa kreu i NATO-s është shprehur kundër transformimit të FSK-së, komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, James Foggo, ka thënë se ky është një vendim sovran, që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës. “Kosova është shtet demokratik, siç është edhe Serbia.

Në demokraci, ju zgjidhni njerëz që do të marrin vendime në emrin tuaj. Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është një vendim sovran që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës”, ka thënë ai.

13 DHJETOR 2018 – QYTETARËT MIRËPRESIN FORMIMIN E USHTRISË

Dy ditë para se Kuvendi i Kosovës të mbajë seancën për votimin e transformimit të FSK-së, qytetarët “duartrokasin” qëndrimin e SHBA-së për FSK-në. Një përmbledhje e reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale është transmetuar në Hashtag – rubrikë e përjavshme e Radios Evropa e Lirë.

14 DHJETOR 2018, KOSOVA FORMON USHTRINË

Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Ndonëse emri i FSK-së nuk pëson ndryshime, për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.

Bëhet fjalë për Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

14 DHJETOR 2018 – BE-JA KA QËNDRIM TË NJËJTË ME NATO-N PËR FSK-NË

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se BE-ja e ndan mendimin e njëjtë me NATO-n që mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë t’i mbajë obligimet e veta që dalin nga Marrëveshja e Parë, që është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, ka theksuar Kocijançiq.

14 DHJETOR 2018 – ZYRTARËT SERBË: DITË E RËNDË

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se për të është “një ditë e rëndë”, porse Serbia do ta vazhdojë rrugën e paqes.

Deklaratën e tillë, Brnabiq e ka bërë duke e komentuar vendimin e autoriteteve të Prishtinës për transformimin në Ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vendim ky i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës. “Për mua kjo është ditë e rëndë.

Nuk është ditë që i kontribuon bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Bërnabiq për mediat serbe.

15 DHJETOR 2018 – QKSS: TRANSFORMIMI NUK DO TË KETË NDIKIM TË MENJËHERSHËM

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në një raport të publikuar thotë se tranzicioni i FSK-së në Ushtri, nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm përderisa është një proces që do t’i marrë 7 deri në 10 vjet.

“Ndërtimi i kapaciteteve të saj, sigurisht se pritet të bëhet bazuar në mbështetjen bilaterale të shteteve përderisa NATO-ja, ashtu sikurse në rastin e mandatit aktual, ka një hapësirë shumë të ngushtë veprimi për shkak të mungesës së konsensusit”, theksoi QKSS-ja.

17 DHJETOR 2018 – SHTETET E BE-SË NË KS TË OKB-SË: USHTRIA, E DREJTË SOVRANE E KOSOVËS

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë, që procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, shtetet e BE-së, në Këshillin e Sigurimit: Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se nisja e transformimit të FSK-së, përmes miratimit të tri ligjeve nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor, është një “e drejtë sovrane” e Kosovës.

3 JANAR 2019 – SËRISH REAGON STOLTENBERG: VENDIMI PËR USHTRINË U MOR NË KOHË TË GABUAR

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përsëriti se vendimi për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri është bërë në kohë të gabuar. “Edhe pse në thelb çështja e transformimit të Forcave të Sigurisë është çështje në të cilën Kosova duhet të vendosë, ne e kemi bërë të qartë se ky veprim, po bëhet në kohë të gabuar. NATO-ja mbështet zhvillimin e Forcave të Sigurisë në kuadër të mandatit aktual. Me ndryshimin e mandatit, NATO duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit të saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenberg.

9 GUSHT 2019 – BETOHEN 337 REKRUTË PAS NDRYSHIMIT TË MANDATIT TË FSK-SË

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u betuan 337 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga ky numër, 22 u përkasin komuniteteve jo shumicë: serbë, boshnjakë, turq dhe RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptianë).

“Diversiteti në radhët tona është një vlerë që ne e çmojmë çdo ditë”, tha ministri i Mbrojtjes në dorëheqje i Kosovës, Rustem Berisha. Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se rekrutët e rinj janë pjesë e Ushtrisë më të re në botë.

“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, e zhvilluar në partneritet me NATO-n”, tha Veseli.

19 NËNTOR 2019 – NATO: PASOJA DO TË KETË, POR ENDE JEMI NË FAZËN E DISKUTIMEVE

Lidhur me masat e paralajmëruara nga NATO-ja për bashkëpunimin e ardhshëm me FSK-në, pasi institucionet e Kosovës miratuan ligjet për transformimin e saj në ushtri, zëvendësndihmësi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe të Sigurisë, James Appathurai, thotë se kjo çështje ende po diskutohet brenda NATO-s, mirëpo shpreh sigurinë se pasoja do të ketë. “Ne duhet ta diskutojmë këtë pak më shumë dhe unë jam pothuajse i sigurt se do të ketë disa pasoja, por ende nuk kemi arritur deri aty”, ka thënë Appathurai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles