Ndërpritet monopoli i Homologimit, MIT-ja autorizon edhe gjashtë qendra të tjera homologimi

0
43

Çështja e monopolit për homologimin e veturave të kompanisë ‘Euro-Lab’ kishte krijuar debate të shumta publike.

Cak i ‘sulmeve’ kishte qenë edhe ministri në detyrë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, i cili kishte thënë se është duke punuar në bazë të ligjit në fuqi, ligj ky të cilin sipas tij e kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës.

E në bazë të kompetencave që ka pasur në dorë, Lekaj kishte deklaruar se do të fillojë procesin e decentralizimit të homologimit, duke hapur pika të reja në regjione të tjera të Kosovës.

Deri më tani, ministria ka autorizuar për homologim edhe katër Qendra për Kontrollim Teknik në qytete të ndryshme.

Njëra ndër to është edhe ‘Kosova Commerce’ në Gjilan, drejtuesi i së cilës ka thënë se vendimin nga ministria e kanë pranuar 10 ditë më parë.

“Me vendim të ministrisë ne jemi të autorizuar për homologimin e automjeteve për rajonin e Gjilanit”, ka thënë drejtuesi i ‘Kosova Commerce’, Jeton Kryeziu për Portali.info.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Fillojetë Konjuhi, ka thënë se procesi i decentralizimit të qendrës për homologim është duke vazhduar edhe në dy qytete të tjera.

“Deri më tani janë autorizuar katër pika për homologim, të cilat gjenden në Gjilan, Gjakovë, Prizren dhe Mitrovicë ndërsa janë në proces edhe Ferizaj e Peja”, ka deklaruar ajo.