Shpenzimet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore të deklaruara në KQZ, e para LDK-ja

0
42

Pas dy muajve nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë publikimin e raporteve financiare për fushatën zgjedhore.

Në këto raporte është theksuar se sa para shpenzuan partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.

Në bazë të raporteve të publikuara del se LDK ka shpenzuar më së shumti, gjithsej 730,146,87 euro, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 451,979,85 euro. E treta për nga shpenzimet del të jetë koalicioni në mes AAK-së dhe PSD me 346,544,15 euro. PDK për fushatë zgjedhore ka shpenzuar 316,346,32 euro, ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD ka shpenzuar 115,863,80 euro.

Kujtojmë se zgjedhjet janë mbajtur më 6 tetor dhe partia e parë nga këto zgjedhje ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga LDK. Partia e tretë ka dalë PDK, ndërsa e katërta AAK-PSD. Në vendin e pestë është renditur Lista Serbe, kurse koalicioni Nisma-AKR-PD në vendin e gjashtë.

Kuvendi i ri i Kosovës nuk është konstituuar ende, pasi ndërkohë vazhdojnë bisedimet për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/