16 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Thaçi nga Berlini, ka një mesazh për partinë e Albin Kurtit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në një konferencë në Berlin të organizuar nga East-West Institute. Mes shumë çështjesh që ndërlidhen me integrime e politika globale e dialogun me Serbinë, Thaçi ka folur edhe për zhvillimet e brendshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.

Nga kryeqendra e Gjermanisë ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje duhet që të fillojë me formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

“Partia fituese duhet të fillojë me formimin e qeverisë”, ka thënë Thaçi

Ndërkohë ka premtuar se do të angazhohet për krijimin e unitetit politik në Kosovë për çështjet që ndërlidhen me dialogun me Serbinë.

“Dua të theksoj se çdo proces me Serbinë do të trajtohet në nivel të dy shteteve sovrane dhe me konsensus politik në Kosovë. Unë jam president dhe do të investoj në arritjen e konsensusit të brendshëm në Kosovë. Polarizimet nuk ndalen në sistem pluralist, por ka ardhur koha që të kemi një pako të prioriteteve në mes të pozitës dhe opozitës, që në këto çështje të mos ketë dallime”, ka shtuar kreu i shtetit.

Tutje Thaçi ka drejtuar edhe kritika ndaj Bashkimit Evropian, duke i përmendur bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe mos shpërblimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me hapje të negociatave për integrim.

Presidenti gjithashtu ka rikujtuar faktin se në të njëjtën kohë Serbisë po i premtohet hapje e kapitujve të re për anëtarësim në Bashkim Evropian, derisa ky shtet vazhdimisht kërcënon me aleancën ruse.

Gjithashtu ka përmendur faktin se në ditën kur është mbledhur NATO, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka udhëtuar drejt Rusisë për takim me Putinin.  “Ky është mesazh për orientimin e Serbisë. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme kemi dëgjuar deklarata nga liderët serbë, duke i mohuar krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë në Berlin se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë nuk ndikojnë vetëm në rrafshin bilateral, por edhe në stabilitetin e rajonit dhe të BE-së.

Duke folur për perspektiven euroatlantike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova duhet ta marrë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur.

“Këtë nuk e shohim si dhuratë, por është diçka që Kosova e meriton dhe ka plotësuar kriteret për ta marrë. Së dyti, hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të bëhet në të ardhmen e afërt. Bllokimi i negociatave ishte mesazh i keq për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi.

Para shumë përfaqësuesve shtetërorë të SHBA-së, BE-së dhe shoqërisë civile, presidenti Thaçi ka thënë se po shohim se BE-ja ka standarde të dyfishta.

“Derisa Kosova bllokohet në liberalizim dhe Maqedonia me Shqipërinë bllokohen në hapjen e negociata, Serbisë i premtohet hapje e kapitujve të rinj. Shohim pra që ata që shpërblehen janë ata që shantazhojnë BE-në me raportin me Rusinë”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, kur kanë nisur bisedimet në vitin 2012, një nga rregullat e pashkruara ka qenë që s’do ta kushtëzojmë procesin, kurse tash taksa po përdoret për ta kushtëzuar dialogun.

“Si të lëvizim përpara? Nga eksperienca në procese deri më tash dua t’i përmend dy gjëra. E para, uniteti i shteteve të Kuintit, i cili është kyç që të vazhdojmë përpara me procesin. Dhe e dyta, koordinim i plotë SHBA dhe BE, edhe pse as ky koordinim nuk bën shumë punë kur vende të Bashkimit Evropian nuk lodhen se çka vendos BE. Disa prej tyre, madje shkaktojnë edhe shumë konfuzion në shtetet tona, si tek politikanët, ashtu dhe te qytetarët”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se këto janë kushtet për ta rinisur procesin dhe për arritjen e marrëveshjes finale, derisa dialogu dhe marrëveshja përfundimtare, sipas tij, nuk kanë alternativë për stabilitetin e Ballkanit.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për procesin zgjedhor në Kosovë dhe përpjekjet për krijimin e një qeverie të re.

Ai ka thënë se Kosova ka kaluar suksesshëm një test të demokracisë, pa marrë parasysh rezultatin zgjedhor.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles